Edhe pse u raportua se portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois mund të luajë në ndeshjen e sontme ndaj Barcelonës, belgu megjithatë nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë.
Gjatë mëngjesit të sotëm, faqja zyrtare e Real Madridit njoftoi se Thibaut Courtois nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sontme “El Clasico”, si pasojë e një gripi.
“Thibaut Courtois do të jetë mungesë e minutave të fundit në ndeshjen e sontme mes Real Madridit dhe Barcelonës, e vlefshme për xhiron e dhjetë të La Ligës, për shkak të një gjendjeje të ngjashme me gripin. Në vend të tij, në skuadër është ftuar Illia Voloshyn”, njoftoi Reali në mengjes.
Megjithatë, gazetari i “The Athletic”, Mario Cortegana raportoi se Courtois mund të bëjë një rikthim sensacional dhe se mund të luajë sonte në “El Clasico”.
Mirëpo, vetë Cortegana tash ka bërë me dije se portieri belg do të mungojë sonte, përfundimisht.
“Thibaut Courtois mungon përfundimisht në ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës”, raporton Mario Cortegana, shkruan “Madrid Xtra” në “X”.
Ndeshja mes Barcelonës dhe Real Madridit do të luhet sonte në “Camp Nou”, me fillim nga ora 21:00.
Kjo do të jetë “El Clasico” e parë e sezonit dhe është jetike për dy skuadrat.
Barcelona është e para në tabelë me 27 pikë, pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, duke e fituar secilën.
Ndërkohë, Reali është i treti në tabelë me 21 pikë, derisa një humbje në “Camp Nou” do t’i prishte shumë punë skuadrës së Jose Mourinhos, në garën për titullin kampion – që Reali s’e ka fituar që nga viti 2024.

