“Jepni dorëheqje”, Çitaku: Si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!

by Nexhat

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për së dyti, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe dorëheqje nga të gjithë ata që, sipas saj, kanë dështuar ta mbrojnë atë.

Ajo ka shkruar në një postim në Facebook, se në këtë moment nuk mjaftojnë fjalët, por nevojiten veprime konkrete dhe llogaridhënie për dështimin e institucioneve që duhej ta mbronin Arlindën.

banner

“Meqë këtë nuk mund ta kthejmë më, ta kursejmë familjen e saj nga patetizmi. Dhimbjes së tyre i detyrohemi me veprime dhe përgjegjësi.Sot, kur po bëhen afro 20 orë nga kjo vrasje makabre, është e pafalshme dhe krejt e pashpjegueshme se si ende askush nuk ka marrë përgjegjësi, qoftë edhe përmes një dorëheqjeje morale. Sepse, të dashur kolegë, ekziston diçka edhe më e rëndë sesa dështimi institucional: dështimi njerëzor”, u shpreh Çitaku.

Sipas Çitakut, krahas masave urgjente për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e vrasjeve, hapi i parë duhet të jetë llogaridhënia, në mënyrë që qytetarët të shohin se institucionet mbajnë përgjegjësi për dështimet e tyre.

“Prandaj, të gjithë ju që e dini se keni pasur përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës dhe keni dështuar ta përmbushni atë, nga nivelet më të ulëta deri në ato më të larta: jepni dorëheqje. Ky është minimumi moral që ju takon ta bëni. Po, shteti duhet ta trajtojë seriozisht dhe me urgjencë mbrojtjen e grave dhe parandalimin e vrasjeve të tyre, me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion dhe me veprime konkrete. Megjithatë, hapi i parë duhet të jetë llogaridhënia dhe marrja e përgjegjësisë, që qytetarëve t’u dërgohet një mesazh i qartë se dikujt në këtë shtet i dhemb vrasja e grave. E nëse nuk ka mbetur askush që e ndien vërtet këtë përgjegjësi, atëherë, njësoj si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!”, shkroi mes tjerash Çitaku.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy