Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të ftohet javën e ardhshme për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Megjithatë, kërkesa e Musliut nuk u miratua, ndërsa kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, bëri të ditur se drejtori i Policisë do të raportojë pas katër javësh, për çështjet që kanë ngritur shqetësime te deputetët, shkruan KP. Musliu tha se, pas dilemave të ngritura lidhur me rastin, komisioni duhet ta dëgjojë Policinë e Kosovës për të kuptuar se si janë zhvilluar veprimet institucionale
Ajo këmbënguli që drejtori i Policisë të ftohet në mbledhjen e javës së ardhshme, duke theksuar se kërkesa e saj nuk synon të fajësojë Policinë, por të sqarojë rrethanat e rastit.
“Unë kërkoj që javën tjetër sot një javë të ftohet drejtori i policisë së Kosovës dhe të raportoj për vrasjen. Pa drejtuar gishtin nuk po tentoj ti kë faj unë po dua ta mbroj policinë. Ne mundemi me thirr edhe Inspektoratin Policorë pastaj. Propozimi im është shumë i qarte, ju caktojeni”, kërkoi ajo.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se për rastin do të ketë edhe komision hetimor, i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryej punën e vet. Ai komision do të zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën nëse ka pasur ne rastin e të ndjerës. Për çështjen në kampin e Vrelles, nuk është rrezikua asgjë aty dhe se në atë pjesë të kampit janë realizuar intervista të ndryshme dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik. Unë besoj se drejtori i policisë do të raportoj muajin e ardhshëm”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, tha se rasti i Arlinda Zekajt dhe rastet e tjera të dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Në fund, Bajqinovci përsëriti se drejtori i Policisë do të raportojë pas katër javësh.

