Danimarka do të nisë një skemë të re për lejet e punës nga 1 janari i vitit 2027, me një pagë minimale më të ulët për vendet e punës që mbulohen nga marrëveshjet kolektive, por kosovarët janë të përjashtuar nga kjo mundësi.
Qeveria daneze ka njoftuar ndryshime që përbëjnë lajm të mirë për punëtorët e huaj që dëshirojnë të ndërtojnë karrierë dhe jetë në Danimarkë. Danimarka do të zbatojë një skemë të re për lejet e punës nga 1 janari 2027. Ajo quhet Skema e Marrëveshjes Kolektive dhe u mundëson kompanive të punësojnë punëtorë të huaj me një pagë minimale më të ulët.
Siç shkruan gazeta indiane në gjuhën angleze, The Financial Express, punëtorët duhet të jenë shtetas të njërit prej 16 vendeve, por në atë listë përfshihet tri grupe, në asnjërën prej të cilëve nuk hyjnë kosovarët.
Ata që mund të përfitojnë, janë shtetas nga dhjetë vendet jashtë Bashkimit Europian me renditjen më të lartë, të përcaktuar sipas shumës së investimeve daneze jashtë vendit dhe investimeve të huaja në Danimarkë; vendet që po negociojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian (që i përjashton kosovarët); dhe vendet që kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për mobilitetin me Danimarkën.
Për shkak se Kosova nuk e ka marrë ende as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, kosovarët nuk do ta kenë këtë mundësi.
Parlamenti danez, Folketingu, e miratoi ligjin më 3 shtator 2026. Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim (SIRI) e njoftoi datën e fillimit më 13 tetor 2026.
Çfarë është Skema e Marrëveshjes Kolektive?
Skema i mundëson një punëtori të huaj të marrë leje qëndrimi dhe pune nëse vendi i punës paguan të paktën 322,000 korona daneze në vit (niveli i vitit 2026). Megjithatë, ekziston një kusht. Vendi i punës duhet të mbulohet nga një marrëveshje kolektive. Kjo është një marrëveshje për pagat dhe kushtet e punës ndërmjet punëdhënësve dhe sindikatave. Punëdhënësit nuk mund të punësojnë këdo sipas kësaj skeme. Kompanitë duhet së pari të certifikohen. Vetëm pas kësaj punëtori mund të aplikojë për leje pranë SIRI-t.
Çfarë duhet të plotësojë një punëtor i huaj për t’u kualifikuar?
Sipas ligjit, punëtori duhet t’i plotësojë këto kushte:
- Të ketë një kontratë pune ose ofertë pune nga një kompani e certifikuar.
- Të fitojë të paktën 322,000 korona daneze në vit.
- Të punojë në një pozitë që mbulohet nga një prej marrëveshjeve kolektive të miratuara nga ministri.
- Të jetë shtetas i një vendi që figuron në listën e publikuar nga qeveria.
- Të aplikojë në një kohë kur papunësia bruto e Danimarkës, e përshtatur sipas sezonit dhe e llogaritur si mesatare për tre muajt e mëparshëm, nuk e ka kaluar nivelin e përcaktuar nga ministri.
Punëdhënësi duhet gjithashtu të dorëzojë një deklaratë në momentin e aplikimit. Në të duhet të deklarohet se vendi i punës mbulohet nga një marrëveshje kolektive e miratuar. Duhet të deklarohet gjithashtu se puna është me orar të plotë, sipas kësaj marrëveshjeje, dhe se kompania do të lejojë kontrolle të vazhdueshme për të verifikuar nëse e zbaton marrëveshjen.

