Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit, duke e përmbyllur me sukses paraqitjen në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.
Pas një rrugëtimi me disa përballje të vështira, Fazliu arriti të rikthehet pas humbjes në gjysmëfinale dhe të triumfojë në luftën për medaljen e bronztë ndaj kroates Iva Oberan.
Fazliu e nisi garën me pushim në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti me Wazaari portugezen Joana Crisostomo. Në çerekfinale, ajo triumfoi me Ippon ndaj vendases Tsendbazar Mashbat, duke siguruar gjysmëfinalen.
Në luftën për finale, xhudistja kosovare u mposht nga polakja Angelika Szymanska, por nuk u dorëzua dhe në duelin për medaljen e bronztë arriti të dalë fituese.
Kështu, Laura Fazliu i sjell Kosovës një tjetër medalje nga skena ndërkombëtare e xhudos, këtë herë nga Grand Slami në Abu Dhabi.

