Prindërit e nxënësve të shkollës “Mehmet Gjevori” kanë paralajmëruar bojkotimin e mësimit për nesër, për shkak të mungesës së higjienës dhe ngrohjes në objektin shkollor. Ky vendim vjen pas shtatë javësh grevë të punëtorëve teknikë, ndërsa Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me sindikatën dhe se puna e punëtorëve pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Prindërit e nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Mehmet Gjevori” kanë vendosur që nesër të bojkotojnë mësimin për shkak të kushteve të papërshtatshme në shkollë, veçanërisht mungesës së higjienës dhe mosfunksionimit të sistemit të ngrohjes.
Vendimi është marrë pas një votimi me përfaqësuesit e prindërve, ku shumica janë deklaruar në favor të bojkotimit të procesit mësimor.
Sipas njoftimit të Këshillit të Prindërve dhe KDSH-së, gjendja e rënduar e higjienës është pasojë e grevës së punëtorëve teknikë, e cila po vazhdon tash e shtatë javë. Krahas kësaj, sistemi i ngrohjes ka dalë jashtë funksionit një ditë më parë dhe, pavarësisht kërkesës së drejtoreshës për ndërhyrje, deri në momentin e njoftimit nuk ishte riparuar. Si pasojë, mësimi është zhvilluar pa ngrohje.
Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se sot Komuna ka arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e rregullt e tyre pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Arsimit, pagesat e para për punëtorët janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.
Deri në rikthimin e punëtorëve, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga ndërmarrjet publike të Komunës, Ndërmarrja Publike Banesore dhe “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit ka theksuar se shëndeti dhe siguria e nxënësve janë prioritet, duke shtuar se do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e masave për sigurimin e kushteve të përshtatshme higjieno-sanitare në shkolla.
Në fund, Drejtoria ka shprehur pritjen që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, por ka theksuar se mbarëvajtja e mësimit nuk mund të jetë mbi shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve

