Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me rastin e publikimit të analizës “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se askush, përfshirë edhe deputetët, nuk duhet të ketë imunitet për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Çitaku ka thënë se, pavarësisht dispozitave të nenit 75 të Kushtetutës për imunitetin e deputetëve, shkeljet e qëllimshme të Kushtetutës nuk duhet të mbrohen nga imuniteti.
“Personalisht mendoj se, pavarësisht nenit 75 për imunitetin në Kushtetutë, nuk besoj se duhet të ketë imunitet as nga gjykata dhe as nga ndonjë palë tjetër. Nuk duhet të kemi imunitet askush, as deputetët. Imunitet për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës nuk duhet të ketë askush”, ka thënë Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar se mungesa e vullnetit politik për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka çuar në nevojën për këtë nismë legjislative.
“Me fol drejtpërdrejt, arsyeja pse kemi ardhur deri te kjo nismë është mungesa e vullnetit politik për të zbatuar vendime të papërshtatshme, qoftë nga institucionet e ndryshme apo nga vetë Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka bërë të ditur se, së bashku me partitë e tjera opozitare, po planifikojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar çështjet e ngritura në raportin e fundit për integrimin evropian.
Sipas saj, raporti evidenton mungesë të zhvillimit në Kosovë, ndërsa ndër problemet e theksuara është edhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave./BetimipërDrejtësi/

