Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka deklaruar se mosndëshkueshmëria për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normalitet në Kosovë.
Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me rastin e publikimit të analizës “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, Ramadani ka thënë se diskutimet për këto vendime po zhvillohen më shumë në rrafshin politik sesa në atë të zbatimit të tyre.
“Pra, duket që në këtë kuptim, diskutimi politik mbi atë se çka ka thënë Gjykata Kushtetuese ka më shumë vlerë sesa vetë vendimi”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka kritikuar edhe mungesën e qëndrimeve publike të Qeverisë së Kosovës lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Mungesa e qëndrimeve publike të Qeverisë, për mua është sinjal negativ. Është plotësisht joserioze të mos ketë një qëndrim politik publik të Qeverisë”, ka thënë Ramadani.
Më tej, ai ka deklaruar se çështja e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese tashmë është bërë objekt i një testimi publik.
Në tryezë nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

