Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se nuk “e njeh askënd” në Prokurorinë Speciale kur u pyet për pushimin e hetimeve ndaj tij lidhur me subvencionet sa kishte qenë ministër i Bujqësisë.
Peci mohoi se ka ndonjë lidhje mes pushimeve të rasteve të hetimeve ndaj tij, dhe zyrtarëve tjerë të Vetëvendosjes, përfshirë ministres Fitore Pacolli e ish-ministrit Liburn Aliu dhe emërimit të Zejnulla Gashit Kryeprokuror.
Ai thotë se u “linçua” sepse ishte njëri nga ministrat më të votuar të Qeverisë Kurti II.
“Prokuroria është institucion i pavarur dhe ashtu duhet të jetë. Për ata që thonë se është kapur Prokuroria, le t’i ofrojnë faktet, sepse unë nuk njoh askënd në Prokurori. Ka qenë fakt i ditur se procesi i përzgjedhjes së subvencioneve dhe granteve gjatë mandatit tim si ministër, për herë të parë në Kosovën e pasluftës, ka qenë i bazuar në meritokraci”, tha Peci.
Ish-ministri i Bujqësisë ka aluduar se sulmet ndaj tij kanë ardhur nga analistë, për të cilët pretendon se i shërbejnë opozitës.
“Suksesi im si ministër dhe si ministri më i votuar i Qeverisë Kurti II ka angazhuar të gjitha qarqet opozitare, përfshirë edhe analistët që po i përmend ti, të cilët janë përkrahës të opozitës, që të lansojnë shpifje, trillime dhe linçime publike, duke ushtruar presion mbi Prokurorinë Speciale që thjesht të iniciojë procedurë. Prokuroria edhe ka iniciuar procedurë. Nga kjo perspektivë, mua më është dukur absurde, por mirë që ka iniciuar, sepse dihet e vërteta, të cilën e kam ditur unë. Besoj se e kanë ditur dhe e kanë besuar edhe shumica e qytetarëve”, tha ai për EO.
Peci e ka mohuar “kategorikisht” se Prokuroria është kapur nga pushteti.
“Kjo nuk lidhet me procesin e ndryshimeve në Prokurori, sepse as nuk e di se cilat janë ato ndryshime. E di që është zëvendësuar një ushtrues detyre i prokurorit dhe nuk i di në detaje zhvillimet në Prokurorinë Speciale. Madje, nuk njoh asnjë prokuror. I vetmi prokuror që njoh është ai që më ka intervistuar. Ata që kanë iniciuar linçime dhe shpifje duhet të bëjnë përpjekje t’i arsyetojnë ato”.

