Komisioni i posaçëm i Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese ka shqyrtuar nominimet e kandidatëve, për të vlerësuar nëse ata i plotësojnë kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, të drejtuar nga kryetari Vigan Qorrolli, Komisioni vendosi që kandidatët që i plotësojnë kriteret ligjore të vazhdojnë në fazën e testimit me shkrim dhe intervistimit me gojë.
Sipas njoftimit të Kuvendit, testi me shkrim do të mbahet më 18 nëntor, ndërsa intervistimi me gojë është caktuar për 27 nëntor.
Pas përfundimit të këtyre fazave, procesi do të vijojë drejt përzgjedhjes së kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

