Vendimi i Qeverisë për të ndaluar tregtimin me kompani serbe, ElektroSeveri i krijuar nga dialogu në Bruksel nuk preket

by Nexhat

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë, por ky vendim nuk e prek ElektroSeverin, kompaninë e krijuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Në vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, parashihet ndalimi i blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara sipas kritereve të përcaktuara, përfshirë edhe tregtimin përmes tranzitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta. Për zbatimin e këtij vendimi, Qeveria ka obliguar Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që, brenda afatit ligjor, të identifikojë ndërmarrjet e regjistruara në Kosovë që kanë veprimtari kryesore ose dytësore në sektorin e energjisë elektrike dhe që kanë lidhje me Serbinë.

banner

Në këtë kategori përfshihen ndërmarrjet që kanë kompani amë, të drejtpërdrejtë ose përfundimtare, të regjistruar në Serbi; ndërmarrjet që janë degë ose njësi organizative të kompanive të regjistruara në Serbi, si dhe ato që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me persona fizikë apo juridikë të regjistruar në Serbi. Megjithatë, vendimi parasheh shprehimisht një përjashtim për aktivitetet që burojnë nga marrëveshjet e dialogut Kosovë–Serbi për energjinë, të arritura në Bruksel.

Konkretisht, ndalimi nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022.

Ky përjashtim është veçanërisht i rëndësishëm për ElektroSeverin, kompaninë që u krijua në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel dhe që operon në sektorin e furnizimit me energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kështu, ndonëse vendimi synon të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e lidhura me Serbinë, aktivitetet që mbulohen nga marrëveshjet e dialogut mbeten jashtë këtij ndalimi.

 Rizvanolli: ElektroSeveri nuk preket për momentin

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka konfirmuar se vendimi nuk e prek për momentin ElektroSeverin, pasi aktiviteti i kësaj kompanie bazohet në marrëveshjen e Brukselit për energjinë. Ajo ka paralajmëruar se masa mund të përshkallëzohet në të ardhmen dhe të përfshijë edhe këtë kompani, nëse Serbia nuk i zbaton obligimet e saj që dalin nga marrëveshjet e dialogut për energjinë.

VENDIMI I PLOTË I QEVERISË

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka: – Miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara sipas këtij propozimi, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes tranzitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta. Përmes këtij vendimi obligohet Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që brenda afatit ligjor, në bazë të të dhënave të regjistrimit të bizneseve, përfshirë të dhënat për pronësinë dhe pronarët përfitues, të identifikojë ndërmarrjet e regjistruara me veprimtari kryesore ose dytësore në sektorin e energjisë elektrike. Ky identifikim do të përfshijë kategoritë e mëposhtme të ndërmarrjeve: 2.1. Kanë ndërmarrje amë, të drejtpërdrejtë ose përfundimtare, të regjistruar në Serbi; 2.2. Janë degë ose njësi organizative të ndërmarrjeve të regjistruara në Serbi; 2.3. Kanë lidhje direkte apo indirekte me persona fizikë ose persona juridikë të regjistruar në Serbi. Përjashtimisht, ndalimi i përcaktuar me këtë Vendim nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy