Serbja që e dëgjoi “Oj Kosovo, Kosovo” live në Bruksel: Vargje simbolike – Kandiq i reagon: Këto na çuan te bombardimet, varrezat masive

by Nexhat

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq ka pasur një përplasje online me anëtaren e shoqërisë civile në Beograd, Bojana Selakoviq lidhur me skandalin e djeshëm në Bruksel, ku në një koncert gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, u luajt melodia e një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Kandiq e cilësoi “të turpshme” atë që ndodhi, ndërsa pati një pyetje në një postim në X: “A reagoi ndonjëri nga aktivistët e organizatave joqeveritare nga Serbia, të pranishëm në forum, duke kërkuar ndërprerjen e këndimit të këngës?”

banner

Selakoviq i reagoi, duke thënë se ajo ishte dhe nuk pati asnjë reagim.

“Nga aktivistët e shoqërisë civile nga Serbia, e pranishme isha unë dhe nuk pata asnjë reagim. Është e drejtë e shqiptarëve të Kosovës që kjo këngë të mos u pëlqejë dhe të reagojnë, por çfarë lidhje ka kjo me mua apo me dikë tjetër nga Serbia?”, shkroi ajo

Selakoviq tha se nuk sheh “asnjë problem me tekstin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” tingujt e së cilës u luajtën në Bruksel.

“Unë nuk kam ndonjë qëndrim ndaj kësaj kënge, siç kanë serbët e Kosovës, por nuk shoh asnjë problem me tekstin e saj, i cili është vetëm simbolik. Fakti që e këndojnë nacionalistët, apo çfarëdo njerëzish të tjerë me të cilët nuk kam asgjë të përbashkët, nuk do të thotë se kënga është nacionaliste. Ajo nuk bën thirrje për urrejtje, vrasje apo spastrime etnike. Pluhurin rreth kësaj kënge e ngritën përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët jo vetëm që heshtën, por edhe sulmuan në mënyrë të turpshme të drejtën ndërkombëtare për shkak të aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Prandaj, kjo u erdhi shumë për shtat që sot, në panelin për pajtimin, të mos përmendej asgjë nga këto”, shkroi ajo.

Kandiq, në kundërrreplikë, citoi fjali nga teksti i këngës.

““Gjithë serbëria brohoret: ‘Nuk të japim, Kosovë!’, Ajo ka qenë gjithmonë e jona, trashëguar që nga të parët…” Brohoritjet na çuan te bombardimet, varrezat masive…”, shkroi ajo.

“Panelet me këtë këngë nuk do të na afrojnë me fqinjtë dhe viktimat”, shtoi Kandiq

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy