Shaktërrohet një rrjetë terroriste në vend nga Byroja për Siguri Publike në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare, të cilët ndërmorën një operacion të përbashkët kundër terrorizmit, duke zbuluar dhe parandaluar veprimet që dyshohet se lidhen me veprat penale “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”.
Pas ndërmarrjes së masave të koordinuara operacionale dhe hetimore, operacioni u realizua nga njësitë përkatëse policore me mbështetjen e Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit “Tigrat”, në 4 lokacione, që kishte të bënte me 6 individë, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të moshës 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova. Katër prej të cilëve janë arrestuar në vend, njëri është arrestuar në Greqi dhe iu është dorëzuar autoriteteve tona, ndërsa tjetri po ndiqet në arrati që është jashtë shtetit.
“Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar telefona celularë, laptopë, kompjuterë personalë, pajisje ruajtëse USB, fletore me kontakte, një skicë që shënon një vendndodhje specifike, si dhe armë zjarri e municione, disa prej të cilave mbaheshin pa lejet përkatëse. Sendet e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme dhe ekzaminimeve forenzike. Hetimi ka zbuluar lidhje midis individëve të përfshirë, si dhe lidhje me shtetas të huaj përfshirë persona të lidhur me të ashtuquajturat “rrjete përfaqësuese” (proxy networks). Është konstatuar se ata kishin për qëllim kryerjen e një akti terrorist që kishte për shënjestër një lokacion brenda territorit të një shteti tjetër”, deklaroi Aleksandar Janev, drejtor i Byrosë për Siguri Publike.
Prokuroria Publike kompetente është njoftuar për veprimet e ndërmarra dhe gjetjet, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar masa përkatëse ndaj 5 individëve. Vazhdimësia e këtij bashkëpunimi dëshmohet më tej nga fakti se, nga fundi i vitit 2024 e deri më sot, Ministria e Punëve të Brendshme – në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ASK) – ka ndërmarrë veprime në 10 raste që përfshijnë gjithsej 22 individë, si dhe në dy raste të veçanta kundër dy individëve për veprën penale “Përpjekje për pjesëmarrje në një formacion të huaj ushtarak, policor, paraushtarak ose parapolicor”.
“Shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, individ i përfshirë në struktura kriminale me aktorë të tjerë të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe kundërzbulimit. Lidhmëria e tij me naro-bossin iranian Haxhi Sharifi Zindashti. Elementë kriminalë nga Maqedonia e Veriut, duke vepruar sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të një shtetasi iranian të lidhur me rrjetet e inteligjencës iraniane, ndërmorën aktivitete përgatitore dhe logjistike për të kryer një akt terrorist konkretisht atentat, për vrasjen e një individi të targetuar paraprakisht që ndodhej në Greqi”, tha Bojan Hristov, drejtor i Agjencisë për Siguri Publike.
Sipas informacioneve nga ASK-ja, Mavaneh mban një rrjet të gjerë ndërmjetësish dhe kontaktesh, dhe ka indikacione se ai, me shumë gjasa, bashkëpunon me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.
Ai theksoi se Mavaneh është i lidhur me individë të tjerë që janë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë, përfshirë këtu edhe bosin iranian të drogës, Naji Sharifi. /21 TV.

