Negociatat për Ukrainën, Zelensky këmbëngul për përfshirjen e Evropës: Nuk mund të vendoset pa pjesëmarrjen e saj! Rusia kundërshton zgjerimin e formatit

by Nexhat

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur qëndrimin e tij për përfshirjen e partnerëve evropianë në negociatat për Ukrainën.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve të vendit, në prag të takimit të nesërm në Berlin me të dërguarit specialë të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Zelensky theksoi se Evropa nuk mund të përjashtohet nga diskutimet për çështje që e prekin drejtpërdrejt atë.

banner

Presidenti ukrainas u shpreh kategorik se vendimet për Ukrainën duhet të merren me pjesëmarrjen e Ukrainës, ndërsa ato që lidhen me Evropën duhet të përfshijnë edhe vendet evropiane.

“Ne dhe evropianët kemi një qëndrim të qartë dhe të përbashkët: çështjet që lidhen me Ukrainën duhet të vendosen me pjesëmarrjen e Ukrainës, ndërsa çështjet që lidhen me Evropën duhet të vendosen me pjesëmarrjen e Evropës. Kjo është e vetmja qasje që mund të ekzistojë”, deklaroi Zelensky.

Njëkohësisht, ai falënderoi të gjithë ata që po kontribuojnë në përparimin e negociatave, me synimin për të arritur një marrëveshje për një armëpushim të përhershëm në frontin ukrainas.

Zelensky bëri të ditur se gjatë takimit të nesërm pala ukrainase do të informohet gjithashtu për bisedimet që presidenti amerikan, Donald Trump, po zhvillon në Kinë.

Sipas tij, përfaqësuesit amerikanë janë zotuar të prezantojnë rezultatet e takimeve të Trump, ndërsa Kievi pret të marrë informacion edhe nga partnerët e tij që ndodhen aktualisht në Kinë.

“Emisarët amerikanë deklaruan se nesër, gjatë takimeve tona në Berlin, do të na informojnë për bisedimet që presidenti amerikan po zhvillon aktualisht në Kinë. Gjithashtu, do të marrim informacion edhe nga partnerët tanë që ndodhen në Kinë”, u shpreh Zelensky.

Pak ditë më parë, Yuri Ushakov, bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se Rusia nuk ka dhënë miratimin për pjesëmarrjen e partnerëve evropianë në negociata, pavarësisht deklaratave të palës amerikane për përfshirjen e tyre në proces.

“Ajo që po diskutohet aktualisht është zhvillimi i raundit të ardhshëm në formatin trepalësh. Këto bisedime rifilluan në Abu Dhabi disa ditë më parë dhe u ra dakord që të vijojnë. Data ende nuk është përcaktuar, ndërsa sa i përket zgjerimit të formatit, për të cilin flasin disa, nuk kemi rënë dakord”, deklaroi Ushakov.

I pyetur se në çfarë kushtesh Rusia mund të pranonte pjesëmarrjen e Evropës, Ushakov la të kuptohej se procesi mund të kërkojë negociata të tjera mes Moskës, Kievit dhe Uashingtonit.

“Duhet të ndodhin shumë gjëra përpara se të mund të arrihet një marrëveshje për këtë çështje. Në veçanti, mund të jetë i nevojshëm edhe një raund tjetër, ose ndoshta disa raunde të tjera bisedimesh trepalëshe”, tha ai.

Njëkohësisht, ai bëri të qartë se pala ruse pret që evropianët të përcaktojnë rolin që dëshirojnë të kenë në procesin e negociatave.

Sipas tij, pjesëmarrja e tyre varet nga fakti nëse Moska do të marrë “një mesazh të qartë nga evropianët lidhur me atë që dëshirojnë dhe kontributin konstruktiv e thelbësor që mund të japin për zgjidhjen me sukses të çështjes ukrainase”.

Deklaratat e Ushakov nxjerrin në pah mosmarrëveshjet e rëndësishme që vijojnë të ndajnë Rusinë nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Ukraina, lidhur me kushtet për përfundimin e luftës.

Ndërkohë, vendet evropiane kanë avancuar në përcaktimin e përfaqësimit të tyre në negociatat e paqes.

Të premten (13 nëntor), presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, njoftoi se liderët e Bashkimit Evropian kishin rënë dakord që ekipi negociator evropian për Ukrainën të përfshijë pesë nga fuqitë kryesore ushtarake të kontinentit: Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Poloninë, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy