Prishtina letër deputetëve të Kuvendit për zhbllokimin e projektit për mbeturinat: Hekuran Murati s’po nënshkruan

by Nexhat

Komuna e Prishtinës u është drejtuar zyrtarisht deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e një projekti në vlerë prej 74.1 milionë eurosh, që synon modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Drejtoresha e Komunës nga radhët PDK’së, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se projekti, i cili prek rreth 450 mijë qytetarë, vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes së kredisë nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

banner

Sipas saj, përgatitjet për këtë projekt kanë nisur që nga viti 2023, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, KRM “Pastrimi”, Ministrinë e Financave dhe bankën gjermane KfW.

Projekti parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, si dhe modernizimin e shërbimit të pastrimit dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Ajo ka treguar se Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024, por marrëveshja ende nuk është nënshkruar nga ministri Hekuran Murati.

Komuna e konsideron bllokadën të motivuar nga inatet politike, duke vlerësuar se pasojat e saj po i bartin drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës.

Për këtë arsye, Komuna ka përgatitur letra zyrtare që do t’ua dorëzojë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt zhbllokimit të projektit.

Letrave u janë bashkëngjitur edhe tri dokumente: dokumentacioni i KfW-së lidhur me projektin dhe financimin e tij, vendimi i Qeverisë i 18 dhjetorit 2024 për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë, si dhe letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-së, e datës 15 maj 2026, drejtuar Ministrisë së Financave për përshpejtimin e procedurave dhe finalizimin e marrëveshjes.

Komuna ka theksuar se nuk po kërkon nga deputetët të mbajnë anë politike, por të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria.

“Ministria e Financave duhet të japë përgjigje të qarta: Pse nuk po nënshkruhet marrëveshja dhe kur do t’i hapet rruga këtij investimi?”, ka deklaruar Musmurati.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy