Erërat e fuqishme që përfshinë Ferizajn gjatë mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar dëme në disa objekte shkollore e sportive, hapësira publike, biznese dhe ekonomi familjare.
Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ekipet emergjente kanë dalë në terren që nga mbrëmja e së enjtes për të evidentuar dhe sanimin e dëmeve.
“Që nga mbrëmë e sot në orët e hershme të mëngjesit, ekipet emergjente janë në terren për të evidentuar e sanuar gjendjen pas erërave të fuqishme që përfshinë territorin e Ferizajt mbrëmë. Bashkë me drejtorin komunal të shërbimeve publike dhe emergjencë si dhe drejtorin e arsimit, dolëm në terren sot, për të parë dëmet që shkaktuan erërat e fuqishme mbrëmë”, shkroi Aliu.
Ai ka njoftuar se sot, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, si dhe drejtorin e Arsimit, ka vizituar disa nga lokacionet e prekura për të parë nga afër pasojat e erërave të fuqishme.
Kryetari ka bërë të ditur se Komuna do të përgatisë një raport për dëmet e shkaktuara dhe do të kërkojë mbështetjen e nivelit qeveritar për kompensimin e subjekteve të prekura.
“Dëmet janë evidentuar në disa objekte shkollore e sportive, në hapësira publike e në biznese dhe ekonomi familjare. Komuna do të përgatisë raportin për dëmet e shkaktuara nga erërat e fuqishme dhe për të njëjtën do të kërkoj edhe mbështetjen e nivelit qeveritar për të kompensuar subjektet e prekura”, theksoi kryetari i Komunës, Agim Aliu

