Pandeli Majko ka analizuar situatën në Shqipëri, ku ka bërë edhe një krahasim mes gjeneratës Z dhe asaj të vjetër.
Në një shkrim të titulluar “Sinodi i Kufomës”, Majko bën një paralelizëm mes disa prej ngjarjeve më të rëndësishme historike në Shqipëri dhe revoltave të brezave të rinj kundër elitave të vjetra politike. Ai sjell në vëmendje Kongresin e Lushnjës, Kongresin e Përmetit dhe Lëvizjen Studentore të dhjetorit 1990, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë momente të përplasjes mes të rinjve dhe të vjetërve.
Majko ndalet edhe te figura historike si Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Azem Hajdari, duke theksuar moshën e tyre në momentet kur u bënë protagonistë të ndryshimeve të mëdha politike në vend.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar vazhdimisht nëpër cikle ku brezat e rinj janë përballur me sistemet dhe elitat ekzistuese, ndërsa sot ky fenomen po merr një tjetër formë, në kushtet e zhvillimit të teknologjisë dhe ndryshimit të shoqërisë.
“Shoqëria jonë po udhëton drejt një ‘republike teknologjike’! Politika nuk njeh mjaftueshëm gjuhën dhe aspiratat e brezit Z”, shkruan Majko
Analiza:
SINODI I KUFOMES
Piktura “Sinodi i Kufomës” ose Gjyqi i Kufomës, (në latinisht Synodus Horrenda), është emri i gjyqit kishtar të Papa Formosit! Ai u zhvillua në janar të vitit 897!
Papa Stefani VI, e zhvarrosi kufomën e paraardhësit të tij, Formosit, dhe e solli në gjykatën papnore për gjykim. Në fund të gjyqit, kufoma e Formosit u shpall fajtor dhe papati i tij u shpall i pavlefshëm…
“Sinodi i kufomës” është një histori që përsëritet në Shqipëri!
Kongresi i Lushnjës (i mbajtur nga 21 deri më 31 janar 1920), Kongresi i Përmetit (24 deri më 28 maj 1944) dhe Lëvizja Studentore (8 deri 11 dhjetor 1990) janë ngjarje historike të cilat shënojnë edhe revoltën e të “rinjve” karshi të “vjetërve”!
Ato, kishin protagonistë, Ahmet Zogun 24 vjeç, Enver Hoxhën 35 vjeç, Azem Hajdarin 27 vjeç!…
Këto ngjarje, prodhuan mbretërinë, diktaturën komuniste dhe partiokracinë aktuale!
Komunistët shqiptarë pas Luftës së Dytë kishin byronë politike me shkollimin më perëndimor në gjithë lindjen! Në fundin e viteve 80-të drejtuesit e tyre ishin të zhytur në mediokritet!
Në maj 1992 u zhvarros nga varrezat e dëshmorëve Enver Hoxha! Gjesti ishte simbolik! Pushteti i ri kishte nevojë të vërtetonte “rrëzimin” e të kaluarës!
Në Shqipëri marrëveshja e heshtur për largimin e regjimit komunist, krijoi një boshllëk kujtese. Shoqëria ra në sindromin e “sinodit të kufomës” si justifikim i asaj që kishte ndodhur!
Në periudhën e iluzioneve të Europës (nga prishja e murit të Berlinit deri në fillimin e luftës së Ukrainës), jeta shqiptare u bazua në tre frikësimet kryesore! Frika nga komunizmi! Frika nga përplasja sociale! Frika nga prishja e paqes në rajon!
Në fillimin e viteve 90-të, e majta dhe djathta drejtoheshin nga pedagogë universitetesh!
Sot, shoqëria jonë po udhëton drejt një “republike teknologjike”! Politika nuk njeh mjaftueshëm gjuhën dhe aspiratat e brezit Z!
Keqkuptimi ndërmjet brezave, është arsye pse në Shqipëri, historia ka evoluar me shpërthimet e pakënaqësisë midis “të rinjve” dhe “të vjetërve” dhe parimeve të “sinodit të kufomës”…
Arti ka fuqinë e aktit në histori! Ai nuk vihet në siklet nga faktet por ta përplas historinë me gjithë ngjyrat e saj në fytyrë.
Në Shqipëri “sinodi i kufomës” ripikturohet nga çdo brez!… Shpresoj që ky mallkim të marrë fund!

