Dëshmitari thotë se paratë e falsifikuara edhe një fëmijë i kishte vërejtur pasi ishin letër hesapi

by informim

Dëshmitari Rasim Konxheli ka thënë se 100 eurot e falsifikuara do të mund t’i identifikonte edhe një fëmijë pasi ishin letër hesapi.

Këtë deklaratë Konxheli e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku për falsifikim të parave po akuzohen Avdullah dhe Rafi Pacolli.

banner

“Ato 100 euro ni fmis me ja qit përpara i kish hetu. Letër hesapi u dokshin që janë të falsifikuara, ne ato si kemi prekur në Polici”, tha dëshmitari Konxheli.

Ai ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë për këtë çështje në Polici më 15 tetor 2016 dhe në Prokurori më 30 dhjetor 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, i njëjti ka treguar ngjarjen ku ka thënë se, më parë kishin punuar në banesën e të akuzuarit Avdullah Pacollit dhe derisa ishin duke punuar ai i kishte parë disa zmadhues të radios ku e kishte pyetur tani të akuzuarin nëse mund t’ia shiste, e që ishin marrë vesh për 200 euro.

Lidhur me pagesën, dëshmitari Konxheli ka deklaruar se, paratë ishin marrë vesh t’ia paguante tek një pompë të benzinës “Patroni” dhe ai sa kishte shkuar t’i merrte në shtëpi që t’ia jepte të njëjtit.

I akuzuari Avdullah Pacollli i kishte thënë që për momentin ishte tek kryqi i Janjevës dhe paratë  t’ia jepte të akuzuarit tjetër Raif Pacollit pastaj ai t’ia dorëzonte Konxhelit, ku sipas tij Raifi ia kishte dhënë 200 euro, të ndara nga 100.

Tutje, dëshmitari Konxheli ka thënë se, pas dy ditësh që Raifi ia kishte dhënë paratë Avdullahit, Policia e kishte thirre Raifin, por meqenëse ishin bashkë, kishin shkuar së bashku.

“Tani nuk më kujtohet saktësisht kush na ka thirr, mue s’më ka thirr Avdullahi,  na u shqetësuam pasi kurrë s’kemi pas punë as në Prokurori as Polici”, ka thënë dëshmitari Konxheli.

Pas dëshmisë së tij, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar zyrtari policor Rizah Grantolli.

Dëshmitari Grantolli gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka thënë se ishte ai që e kishte përpiluar kallëzimin penal, ndërsa të parët që kishin kontakt me monedhën- të hollat, ishin ai dhe rreshter Valdet Morina.

Tutje, dëshmitari Grantolli ka thënë se, derisa ishte duke pirë kafe në rroba civile në kafenenë e njëjtë ku ndodhej edhe i akuzuarin Avdullahu, kishte dëgjuar për paratë e falsifikuara derisa i akuzuari kishte tentuar ta paguante një kafe dhe kamerieri i kishte thënë se s’po ia thyejnë askund pasi ishin të falsifikuara.

Ndërsa, dëshmitari Grantolli me të dëgjuar këtë bisedë pasi ishte afër, menjëherë e kishte thirre kolegun Morina dhe kishin dalë menjëherë në një rrugë ku kishin parë të akuzuarin, i cili sipas tij ishte shumë bashkëpunues dhe atë monedhë që kishin dyshuar që ishte e falsifikuar së bashku me të akuzuarin, e kishin marrë dhe kishin shkuar në Polici.

Paraprakisht, gjykatësi Bahtiri ka pyetur dy të akuzuarit rreth fajësisë, me ç’rast të njëjtit janë deklaruar se janë të pafajshëm.

Kurse, pas deklarimit të të akuzuarve Pacolli, është dhënë fjala hyrëse në këtë shqyrtim gjyqësor, ku prokurorja Javorka  Perlinqevic ka thënë se, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, me rastin e ngritjes së aktakuzës së datës 17 janar 2017 kundër të akuzuarve të lartcekur në drejtim të kryerjes se veprës penale “Falsifikim i parasë”, ka siguruar prova të mjaftueshme të cilat do ta vërtetojnë që të akuzuarit e kanë kryer veprën penale.

Ndërsa, avokati mbrojtësi të akuzuarit Avdullah Pacolli, Mentor Neziri ka deklaruar se konsiderojnë që aktakuza e ngritur ndaj të mbrojturit të tij, nuk ka prova as materiale as personale që do ta vërtetonin gjendjen faktike si të përshkruar në aktakuzë, e aq më pak kualifikimin për të cilin akuzohet.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Raif Pacolli, avokati Valon Sadiku ndër të tjerash tha se beson që prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë me të cilën do të vërtetonte pretendimin e saj në raport me aktakuzën ndaj klientit të tij, e që  gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer këtë vepër.

Pas fjalës hyrëse, gjykimi ka vazhduar me administrimin e provave, me ç’rast prokurorja ka hequr dorë prej leximit të deklaratave të mëparshme së të pandehurve dhe dëshmitarëve.

Ndërsa, sa i përket raportit të hetimit, raportit nga vendi i ngjarjes si dhe raportet e Policisë, këto tha se janë pjesë përbërëse të kallëzimi penal të cilët e sqarojnë se si ka ndodhur rasti nga momenti i paraqitjes gjegjësisht prej momentit kur Rizah Granotolli ishte gjetur ne vendin e ngjarjes, ndërsa sa i përket raportit të Forenzikes, i njëjti vërteton se ekspertiza është vërtetuar që monedha e cekur është e falsifikuar.

Ndërsa, pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është dhënë mbrojtja nga i akuzuari Avdullah Pacolli.

Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i akuzuari Pacolli ka thënë se ia ka shitur zmadhuesit  dëshmitarit Konxheli dhe për pagesën i kishte thënë që do t’ia jepte nesër, pasi ishte duke shkuar në Sllovi te gjyshi, kurse të nesërmen pasdite e kishte thirr i akuzuari Raifi dhe ia kishte dhënë shumën prej 200 euro, ku ai ishte me vëllain e tij, ndërsa Raifi vetëm.

Tutje, i njëjti ka thënë me t’i marrë paratë 200 euro ( të ndara nga 100 euro), të nesërmen derisa kishte tentuar ta paguante një kafe me njërën nga ato 100 euro, kamerieri i kishte thënë që s’po ia thyenin pasi ishin false.

Lidhur më këtë, i akuzuari ka thënë se, kishte paguar me 100-shen tjetër dhe sipas tij ishte nisur për në bankë që t’i verifikonte, por rrugës ishte takuar me një të afërm të tij dhe i njëjti e kishte ndalur për kafe, e që pastaj kishin ardhë Policia rreth 3-5 minutave dhe i kishin thënë që të tregonte krejt çfarë kishte dhe me t’i parë të hollat i kishin thënë për 100-shen se është e pavlefshme.

Ai ka shtuar se nuk e ka mundur të vërejë që kartëmonedha është e falsifikuara.

Tutje, ka shtuar se me të mbërritur në Polici ai e kishte thirr të akuzuarin tjetër Raif, ku i kishte thënë se nëse kishte mundësi të shkonte deri në Polici në Lipjan për t’u sqaruar lidhur me ato të holla që i kishte dhënë ai atij.

“Ka qenë mbasdite ka qenë prej orës 3 deri në 5, kam qenë me vëllaun dhe Raifi ka qenë vetë, por saktësisht ora s’më kujtohet”, tha Pacolli kur u pyet se në çfarë kohe ia kishte sjellë paratë të akuzuarit tjetër.

Më pas, avokati Sadiku të njëjtin e ka ballafaquar me procesverbalin e deklarimit në Prokurori.

“Këto para a i morët menjëherë”, jeni përgjigjur “jo, ditën e  nesërme rreth orës 10”, duke e pyetur cila është e vërteta.

I akuzuari tha se ka mundur ta thotë ashtu, por saktësisht nuk i kujtohet pasi mund të ketë qenë paradite apo pasdite, e se për këtë e ka dëshmitar edhe vëllain Shaqir Pacolli.

Tutje, i njëjti sërish është ballafaquar me deklaratën e tij të dhënë në Prokurori më 20 dhjetor 2016, ku i pyetur “pastaj ku shkove me këto para”, i akuzuari është përgjigjur “me t’i marrë paratë shkova për të pirë një kafe në një lokal, i cili gjendet në rrugën ku e kam banesën. Aty kam porositur një kafe dhe kur ka ardhë kamarieri për ta bërë pagesën, nuk kisha para të imta mirëpo ia kam dhënë 100 euro, njërën nga monedhat e marra nga Raifi”.

Avokati Sadiku e ka pyetur se cila ishte e vërteta ajo që kishte deklaruar që menjëherë ka shkuar në kafene dhe ka tentuar ta bëjë pagesën me 100 euro që ia ka dhënë Raifi, apo deklarata që dha në këtë shqyrtim që ditën e nesërme ka shkuar në kafene, apo që atë ditë ka shkuar në Hajvali te nëna.

Lidhur me këtë, i akuzuari Pacolli ka thënë se siç ka deklaruar më lartë, të nesërmen në mëngjes ka shkuar në kafene, ndërsa atë ditë ka shkuar se nëna e tij në Hajvali.

Në këto rrethana, meqenëse ishte koha e pauzës, si dhe mbrojtësi i të akuzuari Raif Pacolli avokati Sadiku, kishte seancë në Ferizaj, seanca e sotme u ndërpre ndërsa vazhdimi i saj pritet të bëhet nesër (4 gusht 2023).

Ndryshe, derisa ishte duke e dhënë mbrojtjen i akuzuari Avdullah Pacolli, në sallë fillimisht ka qëndruar për pak kohë i akuzuari tjetër Raif Pacolli, derisa ishte vërejtur ky lëshim nga gjykatësja Alltëne Murseli. Por, më pas nga gjykatësi Bahtiri ai u obligua të lirojë sallën.

Ndryshe, më parë ky rast ishte gjykuar nga gjykatësi Alban Ajvazi, ndërsa me rastin e kalimit të gjykatësit Gazmend Bahtiri në Departamentin për Krime të Rënda në mesin e lëndëve të tjera iu është ndarë edhe ky rast, ku tani gjykohet nga i njëjti dhe anëtarët Alltëne Murseli dhe Gzim Ademi.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 17 janar 2017, Avdullah Pacolli me 18 gusht 2016, në rrugën “Gjergj Fishta”, në Lipjan, ishte ndalur në një restorant dhe pasi kishte porositur kafe, pagesën e kishte bërë me 100 euro të falsifikuara, ku pasi e vëren kamarieri, ia kishte kthyer të pandehurit dhe menjëherë e kishte njoftuar policinë, e cila gjatë kontrollës ia kishin gjetur Pacollit këtë kartëmonedhë dhe ia kishin konfiskuar.

Ndërsa, i akuzuari Raif Pacolli po dyshohet se me 13 gusht 2016, ia kishte dhënë Avdullah Pacollit kartëmonedhën prej 100 euro, të cilën i njëjti e kishte vënë në qarkullim.

Për këto veprime, ata po akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 302, paragrafi 2 i KPRK-së, e cila dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy