Disa orë pasi u përball me një gjykatës në Uashington, Donald Trump u kërkoi para mbështetësve të tij – dhe pretendoi se mund të përballet me “561 vjet burg për një krim që nuk e kam kryer”.
Duke këmbëngulur se ishte një njeri i pafajshëm, ish-presidenti amerikan përmes një e-mail thoshte se “ju jeni arsyeja pse unë kurrë nuk mund të heq dorë nga misioni ynë për të shpëtuar Amerikën – pavarësisht se sa të këqija dhe të egra ishin sulmet ndonjëherë”.
“Gjithmonë e dija se ky ishte çmimi që duhej të paguaja për të kandiduar për president si një i huaj politik dhe për t’ia rikthyer pushtetin juve, popullit amerikan. Por, për Amerikën ia vlen gjithmonë!”, ka shkruar republikani.
Të enjten, Trump u shfaq pa emocione pasi u deklarua i pafajshëm për të katër akuzat kundër tij, raporton skynews.
Ish-lideri amerikan akuzohet për thurjen e konspiracioneve për të mashtruar SHBA-në; t’u hiqet qytetarëve e drejta për t’iu numëruar vota; pengojë një procedurë zyrtare dhe u përpoq që të ndalonte Kongresin amerikan të bëjë certifikimin e Joe Bidenit si president i 46-të i SHBA-së.
Këto shkaktuan trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në ndërtesën e Capitolit të SHBA, për të cilën prokurorët thanë se ishte “një sulm i paprecedentë mbi selinë e demokracisë amerikane” që u “ushqyer nga gënjeshtrat” e ish-presidentit amerikan.
Ndryshe, ky ishte rast i tretë në katër muaj që 77-vjeçari po përballet me drejtësinë amerikane. Prokurori i posaçëm, Jack Smith, në muajin qershor e akuzoi në lidhje me dërgimin në shtëpi të dokumenteve të klasifikuar.
Në muajin mars, një Juri e Madhe në Manhattan e akuzoi ish-presidentin për mashtrim në biznes.
Trump, i cili është kandidat për president në vitin 2024, ka deklaruar se ndihet i pafajshëm në të dyja rastet.