Qeveria e Shqipërisë e ka rikthyer vëmendjen në sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore. Me anë të një projektligji të hedhur për konsultim publik, qeveria propozon një ligj që do të përcaktojë rregullat dhe normat për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet në Shqipëri.
Në nenin 5 të ligjit thuhet se pronat detyrohen të sigurohen nga tërmeti çdo vit, ku përfshihen banesat sociale me qira, përfshirë ato në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Për të adresuar ndikimin social dhe fiskal të tërmeteve, Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë hartuar projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, duke u mbështetur në përvojat e suksesshme të vendeve të tjera Turqia, Rumania, Filipinet. Në relacionin shoqërues thuhet se pas përvojës në vende të tjera, mbulimi efektiv i sigurimit pritet të rritet gradualisht në vite, pas miratimit të ligjit.
Kjo është tentativa e dytë e qeverisë shqiptare për një ligj për sigurimin e banesave, pasi edhe më herët qarkulloi edhe një draft, fill pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona dhe u shkatërruan me qindra pallate dhe banesa private. (Burimi: Euronews Albania)