Harry Kane është ende duke diskutuar nëse është apo jo shumë vonë për të marrë vendimin më të madh të karrierës së tij pasi Bayern Munich më në fund ra dakord për një tarifë me Tottenham Hotspur për të nënshkruar marrëveshjen.
Çelësi i marrëveshjes duket se është se Bayern ka riorganizuar ofertën e tyre në mënyrë që Spurs të marrin një shumë më të madhe parash, me më pak shtesa dhe pagesa të shkallëzuara, në mënyrë që ata të mund të investojnë në skuadrën e tyre menjëherë.
Bayern ka qenë i sigurt gjatë gjithë verës se Kane dëshiron t’i bashkohet, por natyra e stërzgjatur e negociatave, me tre oferta të mëparshme që janë refuzuar nga Spurs dhe me fillimin e kampionatit në Premier League këtë fundjavë, e ka vënë gradualisht në dyshim arritjen e marrëveshjes.
Në teori, në kampin e Bayernit janë të sigurt se do të arrihet një marrëveshje sot, megjithatë, deri sa nuk janë nënshkruar ende letrat, kjo marrëveshje është komplekse dhe mund të mos përfundohet shpejt. Për trajnerin e Bayernit, Thomas Tuchel, Kane është objektivi numër 1 dhe mbetet jashtëzakonisht i bindur se 30-vjeçari do të nënshkruajë. Ai do të habitej nëse nuk ndodh.
Ka pasur sugjerime nga burime në Gjermani se e vetmja vonesë në marrëveshje tani do të jetë sepse Kane ka disa detaje financiare për të zgjidhur me Spurs. Kushtet personale që i ofrohen atij nga Bayern besohet të jenë të pranueshme.
Përndryshe, oferta e pranuar mes Bayernit dhe Spurs tejkalon minimumin prej 100 milionë euro që Levy kërkonte për Kane dhe me shtesa është afër 100 milionë funte. Ajo që është më e rëndësishmja, përmbush edhe kërkesat e tij se si do të kryhen pagesat.
Kane nuk mendonte të largohej nga Spurs sapo të fillojë sezoni i tyre dhe beson se kjo do të ishte e padrejtë për tifozët, klubin, bashkëlojtarët e tij dhe gjithashtu trajnerin Ange Postecoglu, të cilin ai e admiron dhe me të cilin ai tashmë ka krijuar një marrëdhënie të mirë.