Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nxjerr vendim i cili e rregullon mënyren e gjobitjes për lokalet afariste të cilat shkaktojnë zhurma të larta dhe të padurueshme. Lokalet në Prishtinë do të gjobiten nga 500 deri në 3000 euro nëse do të shkaktojnë zhurma më shumë sesa norma e lejuar.
“Vizituam sot Dhomën e Monitorimit të Ndotjes Akustike në Inspektoratin e Kryeqytetit. Nga e hëna fillojmë edhe zyrtarisht punën dhe duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten,” – shkroi ai në Facebook.
Sistemi, i cili do të vihet në zbatim nga e hëna, perveç matjes në mënyrë automatike do të bëjë me dije dhe gjobën për ata që e tejkalojnë normën e lejuar, duke evituar vendimet nga inspektorët. Rrjedhimisht me këtë sistem askush nuk do të mund të ankohet për sasinë e parave që do të duhet të paguajë pas shkeljes.
Kryetari Rama tha se Prishtina është lidere në botë me këtë sistem të monitorimit të zhurmës.
Kontrollimin e zhurmës e mirëpritën edhe përfaqësuesit e gastronomëve. Zhurma e lejuar për lokalet e gastronimisë do të jetë 60 decibel. Tejkalimi i kësaj sjell gjoba.
Për të marrë pajisjen, lokalet është dashur të aplikojnë në komunë, ndërsa për ata që nuk kanë aplikuar ende u tha se dënimet do të fillojnë menjëherë.