Zjarri që kaploi Muzeun e Muzikës në Gjakovë është lokalizuar. Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin për hetim si “zjarrvënie”. Konfirmohen dëme të konsiderueshme materiale, teksa nuk është raportuar për persona të lënduar.
Këto informata i dha , Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë Rajonale në Gjakovë.
“Sot rreth orës 18:30 është pranuar informatë se Muzeu i Vjetër i Muzikës në Gjakovë ishte përfshirë nga zjarri. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe Njësia e Zjarrëfikësve të cilët kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale pasoja në njerëz nuk ka pasur. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për hetim “Zjarrvënie””, tha Elezaj
Për djegien e këtij objekti pati reagime të shumta duke kërkuar të hetohet rasti.
Në një prononcim për Gazetën Express, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, tha se pjesa e mirë e kësaj ngjarje është se aty nuk ka pasur artefakte, pasi janë larguar më parë.