Çështja e furnizimit të nxënësve me tekstet shkollore këtë vit ka ngjallur reagime të shumta, pas vendimit të MASHTI-t që mjetet për blerjen e teksteve tu barten në llogaritë e prindërve.
E shkak i gjendjes së krijuar si rrjedhojë e këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që sot të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar pikërisht për këtë problematikë.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin nga Kuvendi i Kosovës.
“Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”, thuhet në njoftim.
Seanca pritet të nis në orën 12:00.
Deputetja e Partisë Demokratikë të Kosovës, Eliza Hoxha, kishte deklaruar se anëtarët e komisionit për arsim, të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të opozitës kanë iniciuar këtë seancë të jashtëzakonshme.
Derisa ka kritikuar qeverinë, ajo ka thënë se “Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe t’i kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”.
Kujtojmë se çështjen e blerjes së teksteve shkollore e ka kritikuar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar që të gjendet një mënyrë më efektive.
“Si prind natyrisht se angazhohemi në tërë procesin e edukimit të fëmijëve, kështu që edhe kjo nuk është se ka marrë shumë kohë. E kuptoj se ka qenë proces më i komplikuar sepse për shumicën dërrmuese të prindërve deri më tani furnizimi me libra është bërë në ditën e parë të shkollës, pra kur fëmijët tanë kanë shkuar në shkollë librat kanë qenë aty. Tani është një proces ndryshe, por e rëndësishme është që fëmijët të mos mbesin pa libra”, deklaroi ditë më parë Osmani.
Sa i përket pagesës për furnizim me tekste shkollore, MASHTI ka njoftuar se për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00, ekzekutimi i mjeteve ka përfunduar të enjten.
Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore. Ndërkaq të shtunën ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht.
Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është 133.500.