Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot fillon vizitën shtetërore në Shqipëri.
Vizita e saj dyditore në Shqipëri vjen si rezultat i ftesës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Begaj.
“Përveç takimit tete e tete, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione. Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova”, njofton Presidenca.
Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Pas takimit, presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga kryeministri Rama.
Presidentja Osmani po ashtu do të pritet në takim edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në agjendën e presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë.
Po ashtu, në Tiranë presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.
Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.