Përleshje të dhunshme shpërthyen të dielën në një lagje emigrantësh në qytetin e tretë më të madh të Suedisë, pasi një protestues kundër islamit e dogji një kopje të Kuranit, tha policia suedeze të hënën.
Policia në Malmo tha se ndaj oficerëve të saj u hodhën gurë dhe disa vetura të tyre u dogjën, përshirë një garazh nëntokësore, gjatë përleshjeve që nisën të dielën dhe vazhduan deri pas mesnatës.
Ajo i cilësoi ato si “trazira të dhunshme”.Përleshjet nisën pasi një aktivist kundër islamit, Salwan Momika, e dogji një kopje të Kuranit të dielën dhe një grup i zemëruar u përpoq ta ndalte, tha policia.
Të paktën tre persona u arrestuan, njoftoi policia.
Mëngjesin e së hënës, një grup i, kryesisht të rinjve, dogjën goma dhe mbeturina, ndërsa disa të tjerë i rrëzuan skuterët elektrikë dhe vunë barriera në lagjen Rosengard në Malmo, në të cilën ka pasur përleshje të tilla edhe në të kaluarën. Aty u shpalosën edhe banerë që dënonin djegien e Kuranit.
“E kuptoj se një tubim publik si ky ngjall emocione të forta, por ne nuk mund t’i tolerojmë sjelljet e dhunshme dhe çrregullimet si ato që i pamë të dielën pasdite”, tha oficerja e lartë e policisë, Petra Stenkula.
“Është për keqardhje të shohësh përsëri dhunën dhe vandalizmin në Rosengard”, tha ajo.“Pavarësisht arsyeve prapa këtyre trazirave, djegia e veturave, ngacmimet, dhuna kundër oficerëve policorë… pavarësisht arsyes, mendoj se kjo është plotësisht e papranueshme për të gjithë suedezët”, tha kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, në një konferencë për media.
Në muajt e kaluar, Momika, një refugjat irakian, i ka përdhosur kopjet e Kuranit në një varg protestash kundër islamit, kryesisht në Stokholm.
Policia e Suedisë i ka lejuar veprimet e tij, duke u thirrur mbi lirinë e shprehjes.
Djegia e Kuranit ka nxitur protesta të ashpra në vendet myslimane, sulme ndaj misioneve diplomatike të Suedisë dhe kërcënime nga ekstremistët islamistë.Liderët myslimanë në Suedi i kanë bërë thirrje Qeverisë të gjejë mënyra për ta ndaluar djegien e Kuranit.
Suedia i shfuqizoi ligjet e saj të fundit për blasfeminë në vitet ’70, dhe Qeveria ka thënë se nuk e ka ndër mend t’i rikthejë ato.
Megjithatë, Qeveria ka njoftuar se po e shikon mundësinë për t’ia mundësuar policisë t’i hedhë poshtë kërkesat për demonstrata të tilla për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare./rel