Presidentja Vjosa Osmani ka komentuar puthjen live me bashkëshortin gjatë një interviste televizive.
Gjatë intervistës në Top Channel, Osmani tha se familja e fortë është një ndër vlerat më të rëndësishme të popullit tonë.
“Vetëbesimi si grua për mua ka filluar në familje si fëmijë. Ne jemi 4 motra dhe një vëlla dhe jemi rritur me prindër që na kanë shtyrë drejt një rruge ku … ndoshta edhe për shkak se rrethanat kanë qenë të jashtëzakonshme, vetëbesimi ka qenë element i pandashëm i rritjes tonë”, tha Osmani.
“Në veçanti babi na ka dhënë përkrahje që si vajza në kohë të vështira dhe një sistem patriakal të fuqizohemi, të ndihemi të pavarura, që të mos ndahemi para asnjë sfide. Unë jam shumë me fat që e kam përkrahjen e pakursyer të bashkëshortit dhe në asnjë moment nuk mendoj që shprehja e dashurisë ndaj personit që e do, bashkëshortit në këtë rast, duhet të të bëjë të ndihesh me më pak vetëbesim. Përkundrazi, kur ke në familje bashkëshort, motra, vëllezër dhe tani edhe dy vajzat e mija që çdo ditë më inspirojnë dhe japin energji pozitive, kjo vetëm sa e rrit vetëbesimin”, u shpreh presidentja e Kosovës.
Osmani tha se familja e fortë është ndër vlerat më të rëndësishme të popullit tonë, sepse ka qenë edhe celula që në fakt na ka ndihmuar të tejkalojmë edhe më të tmerrshmen, gjenocidin.
“Familja e fortë është një ndër vlerat më të rëndësishme të popullit tonë dhe unë tentoj të flas për atë, të flas për të kudo që shkojë, sepse ka qenë edhe celula që në fakt na ka ndihmuar të tejkalojmë edhe më të tmerrshmen, gjenocidin. Duhet të kemi solidaritet brenda familjes në radhë të parë, dhe më pas me fqinjët, të afërmit, të tjerët, me të gjithë popullin. Edhe sot fakti që mërgata jonë është ajo që e ndihmon aq shumë, tregon rëndësinë e familjes”, tha Osmani.