Në pesë muajt e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 64 raste të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, teksa numër i lartë i këtyre rasteve u raportuan edhe në muajin qershor, korrik dhe gusht.
Nga Policia e Kosovës kanë treguar për Express shifra të rasteve që janë raportuar për ngacmim seksual dhe sulm seksual në këtë vit dhe atë paraprak.
Në pesë muajt e parë të këtij viti në policinë e Kosovës janë raportuar 37 raste të ngacmimit seksual. Krahas këtyre shifrave, edhe 27 raste tjera u raportuar për sulm seksual.
Në 2022, në total numri i rasteve të ngacmimeve seksuale shkoi në 93.
Ndërkaq i sulmeve seksuale 69.
E në 2021 u raportuan gjithsej 102 raste të dhunimeve.
Gjatë katër viteve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 216 raste të dhunimit seksual dhe 223 të sulmeve seksuale, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Në vitin 2020, vërehet një rënie e numrit të këtyre rasteve duke e krahasuar me vitin 2019, pasi që ishin kryer 60 raste të dhunimit dhe 56 raste të sulmit seksual.
Kurse gjatë vitit 2019 numri i rasteve të dhunimit dhe sulmit seksual kishte pësuar rritje, pasi që në polici ishin raportuar 94 raste të dhunimit dhe 62 sulme seksuale, në krahasim me vitin 2018 ku ishin denoncuar 32 raste të dhunimit seksual dhe 46 të sulmit seksual.
Kujtojmë se vitin e kaluar presidentja Vjosa Osmani pati kritikuar sistemin e drejtësisë për mungesën e reagimit efektiv në rastet e dhunimeve seksuale.
Gjatë fjalës së saj në organizimin e Javës për të drejtat e viktimave të krimit, me moton “Moment Reflektimi i Zinxhirit Institucional”, e para e shtetit përmendi rastet e rënda të dhunimit që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në Kosovë.
Kurse, ambasadori Jeffrey Hovenier në konferencën për javën për të drejtat e viktimave të krimit, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të bëjë më shumë në trajtimin efikas të viktimave të krimit, me theks të veçantë për viktimat e dhunës në familje, dhunës seksuale dhe viktimat e trafikimit me njerëz.
“Fillimisht, ne duhet të jemi në gjendje që t’i dëgjojmë këto viktima, sepse këta pjesëtarë janë caqe të cenimit të krimeve, trafikimit, dhe shpesh nuk jemi të përgatitur t’i dëgjojmë këta persona, pa i dëgjuar, nuk mund t’i ndihmojmë”, pati thënë Hovenier në tetorin e vitit të kaluar, gjatë shënimit të Javës për të drejtat e viktimave të krimi.
Me Kodin Penal të Kosovës dhuna seksuale është e cilësuar si vepër penale dhe tregon se kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet. E nga rrethanat se si kryhet kjo dukuri e veçanërisht gjendjes dhe moshës së viktimës së kësaj vepre penale, ligji mund ta dënoj kryesin edhe me 20 vite burgim apo edhe burgim të përjetshëm.