Policia e Kosovës në bashkëpunim me organe tjera të sigurisë, kanë trajtuar një informatë nën dyshimin se në një shtëpi në Zveçan ka armë dhe mjete tjera ushtarake.
Dje në koordinim me organet e drejtësisë, në ora 09:40, policia ka kryer një kontroll në një shtëpi, pronë e L.G., (viti i lindjes 1948, mashkull serb kosovar) në Zveçan.
Drejtori i Policisë së për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha para gazetarëve se policia ka arritur të gjeje katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore. municion dhe gjëra të tjera.
Këtë rast, Elashani e quajti interesant për t’u hetuar, sepse sipas tij në mesin e armatimit janë gjetur edhe kallashnikovë dhe municion të kalibrit 5X56, i cili përdoret edhe nga forcat e NATO-s.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje tjera për shkak të hetimeve, derisa situatën e përgjithshme në veri e ka vlerësuar të qetë, stabile, por delikate.
Dje, Policia e Kosovës ka treguar në detaje për numrin dhe llojin e armëve që janë zbuluar në një shtëpi në Zveçan.
Në njoftimin e tyre thuhet se “rasti do të vazhdojë të trajtohet nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda. Polica mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që përfshihen në veprimtari penale”.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi sot gjatë ditës se Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.
Ai tha se shtëpia ku është gjetur armatimi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Po ashtu ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.
Këto janë armët e kapura:
Katër (4) armë AK 47,
Tridhjetë e katër (34) karikatorë të armës AK 47,
Një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë (1546) fishekë të kalibrave të ndryshëm,
Tetë granata dore,
Një (1) minë anti-këmbësorie,
Dy (2) gazë-maska,
Dy (2) çanta ushtarake,
Një (1) shok-bombë,
Dy (2) fishekë-zjarre,
- Dy (2) optika të armës,
- Një (1) thikë ushtarake,
- Një (1) maskë ushtarake,
- Dy (2) rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë,
- Pesë (5) çanta të vogla ushtarake,
- Një (1) rrip i pajisjeve ushtarake,
- Një (1) këllëf i pistoletës dhe
- Pajisje për pastrim të armatimit.