Stuhitë me reshje të dendura shiu kanë përfshirë përveç Greqisë dhe Bullgarinë e Turqinë, duke shkaktuar përmbytje që kanë marrë 7 jetë njerëzish.
Në Greqi, policia ndaloi trafikun në qytetin e Volosit, në rajonin malor të Pilionit dhe në ishullin turistik Skiathos, pasi shirat rekord shkaktuan të paktën 1 të vdekur dhe mbuluan rrugët.
Në zonat qendrore të vendit, autoritetet dërguan sinjalizime me SMS, duke paralajmëruar njerëzit të shmangin lëvizjet.
Në Bullgari, kryeministri Nikolay Denkov deklaroi se dy persona kishin vdekur dhe tre të tjerë ishin shpallur të humbur pasi një stuhi shkaktoi përmbytje në jug të vendit.
Këtu, lumenjtë e tejmbushur dolën nga shtrati duke përmbytur rrugë dhe ura. Zona pësoi edhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa autoritetet u detyruan të paralajmëronin qytetarët që të mos konsumonin ujë çezme.
Në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, shirat e dendura mbuluan gjithashtu rrugët dhe lanë të vdekur 2 persona.
Autoriteteve iu desh të shpëtonin një dyzinë njerëzish që kishin mbetur të bllokuar brenda një librarie, ndërsa disa stacione metroje u mbyllën.