Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se takimi i djeshëm në Bruksel mes Kosovës e Serbisë ishte një mundësi e humbur për të arritur marrëveshje. Sipas tyre, kryeministri Kurti kërkoi të zbatohet marrëveshja e Ohrit. Ata besojnë se tani është radha e amerikanëve.
Analistët politikë konsiderojnë se të dy vendet po humbin mundësitë për zhbllokim të procesit të dialogut dhe ecjes para në rrugën drejt BE-së.
“Takimi i djeshëm ishte një shans i humbur edhe për Kosovën edhe për Serbinë, sepse ishte një mundësi e mirë për ta zhbllokuar dialogun dhe për të avancuar drejt arritjes së qëllimeve edhe të dy vendeve, por edhe të agjendave gjeostrategjike dhe gjeopolitike, por për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe tash natyrisht është një dëm i madh që iu bë procesit dhe duhet energji shumë të mëdha për t’u regjeneruar në pikën e normalitetit”, tha për RTK-në Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike në vend.
Ndërkaq, analistët serbë të Kosovës, thonë se nuk ka risi në qëndrimet e kryeministrit Kurti, për vetë faktin se ai e ka nënshkruar marrëveshjen në Ohër.
“Dje ka insistuar, në rregull, shkojmë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit , por 39 pikat menjëherë, pa dallim. Që do të thotë asgjë e çuditshme, asgjë e re nga kryeministria ynë, asgjë alarmante. Tash kemi një situatë, ku do të presim zyrtarët e lartë të Administratës amerikane me të cilët, si duket, do të kemi vendimet e ardhshme se si do të vazhdojë dialogu, në çfarë dinamike dhe a janë ato kriteret edhe për negociata të reja. Kjo më duket ishte taktika e Kurtit”, tha Branislav Krstiç, analist politik.
Sa i përket qasjes së ndërmjetësueseve të dialogut në takimin e djeshëm, analistët kanë mendime të ndryshme.
“Në procese të tilla të cilat janë jashtëzakonisht delikate edhe nuancat bëjnë dallime dhe natyrisht që edhe palët kanë të drejtë që ti kenë edhe vërejtjet e tyre. Por, me rëndësi është që të kuptohet ideja që pa kompromise të dy anshme nuk mund të shkohet përpara. Gjithsesi është mjeshtri që kompromiset të bëhen duke mos cenuar integritetin e Kosovës dhe interesat e Kosovës, por, në anën tjetër, duke qenë në harmoni me kërkesat e aleatëve tanë. Mendoj që kjo është rruga e vetme, sepse bllokadat dhe kokëfortësia janë rruga më e lehtë, por edhe më e dëmshme, si për Kosovën, po ashtu edhe për Serbinë”, deklaroi Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike në vend.
“Nuk ekziston asnjë fakt me akuzuar BE-në që ishte në anën e Serbisë. Është e pranueshme me kuptuar që BE për zbatimin dhe de-eskalimin e situatës në veri nuk e ka dënuar Serbinë, por vetëm Kosovën. Nuk është e mundur të mbrohet diçka që nuk është për t’u mbrojtur. Jam i sigurt që BE bashkë me Brukselin zyrtar dhe Administrata amerikane, jo që janë në anën tonë dhe kryeministrinë tonë. Jam i sigurt që me kapacitete të plota që ata do të insistojnë që ne, deri në korrik ose gusht të vitit të ardhshëm, do të kemi të dy shtetet e përfunduara, Serbinë dhe Kosovën”, tha Branislav Krstiç, analist politik.
Të enjten, në Bruksel, Kosova nuk pranoi një propozim nga BE për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi, siç deklaroi kryeministri Albin Kurti, atij iu paraqit një dokument që nuk e kishte më herët e që ishte i Serbisë, mbi të cilin ishte krijuar edhe qëndrimi i BE-së.