Sulmi ndaj Policisë, reagimet e liderëve vendorë e ndërkombëtarë

by informim

Mëngjesin e së dielës Kosova mori një lajm të kobshëm për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosjen e policit, Alban Rashiti nga disa sulmues serbë në Banjskë të Zveçanit.

Në nderim të jetës dhe veprës së Bunjakut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur të hënën si ditë zie shtetërore.

banner

Kjo ngjarje tronditi opinionin pasi për sulmuesit autoritetet kosovare thanë që janë të armatosur me pajisje të rënda dhe të strukturuar mirë.

Sulmuesit përdorën Manastirin e Banjskës si vendqëndrim për të kryer këto sulme, pasi herë pas here dëgjoheshin të shtëna armësh në drejtim të Policisë.

“Kundërpërgjigja e Policisë së Kosovës”

Pavarësisht situatës së rënduar Policia e Kosovës u tregua efektive me masat që mori për ta tejkaluar këtë problematikë.

Fillimisht u shtuan njësitet policore dhe ndaluan qarkullimin në rrugën që të çon te Manastiri i Banjskës dhe më pas gradualisht rrethuan edhe lokacionin ku strehoheshin këta sulmues.

Gjatë orëve të mbrëmjes njësitet speciale të Policisë së Kosovës arritën që të hyjnë brenda Manastirit dhe të kapin disa prej personave që dyshohet se ishin në këtë grup terrorist.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë natës së djeshme ka njoftuar se gjatë këtij aksioni në vetëmbrojtje janë vrarë tre sulmues, ndërsa gjashtë persona të tjerë u arrestuan.

Po ashtu ai theksoi se autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.

Reagimet e liderëve në Prishtinë

Në mëngjes i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili njoftoi për ngjarjen e kobshme në Banjskë.

Ai i konsideroi sulmuesit si terrorist dhe të mbështetur nga Beogradi, prandaj edhe sulmuesit i konsideroi si “profesionist dhe të përgatitur”, shkruan Zeri.info.

Gjatë kësaj kohe u mbajt edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku më pas doli në konferencë edhe kreu i Qeverisë që ndau me gazetarët disa fotografi nga Manastiri dhe tha se në të ndodhen mbi 30 persona.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur nga Beogradi”, theksoi ai gjatë konferencës së djeshme.

Në fund ai u bëri thirrje këtij grupi që të dorëzohen pasi sipas tij Kosova synon paqen, por po ashtu theksoi se ata ishin të rrethuar nga njësitet policore dhe se nuk kanë mundësi të ikin nga aty.

Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me të ndodhë ky akt terrorist ndaj Policisë ndërpreu vizitën e saj zyrtare në Neë York.

Ajo sulmin e datës 24 shtator e quajti si akt që cënon sovranitetin e Kosovës dhe që synon destabilizimin e veriut përmes strukturave kriminale.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.

Reagime të tjera pati edhe nga liderët partiak të partive opozitare të vendit, si Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku, të cilët njëzëri dënuan ashpër këtë akt terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Reagimet e ndërkombëtarëve

I menjëherëshëm ka qenë reagimi i ambasadorit të SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i cili ka dënuar ashpër këtë akt.

“Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”, shkroi ai në platformën “X”.

Por më të vonshme janë cilësuar reagimet e emisarit të Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Lajçaku e çuajti si sulm të tmerrshëm, por jo ta quante si “akt terrorist” meqë nga shumë ekspertë u konsiderua si i tillë.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që t’i kthehen dialogut, si zgjidhje e vetme.

“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, thuhet në reagimin e tij.

Në anën tjetër Borrelli përmes një reagimi të shkurtët dënoi sulmin e serbëve ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkoi që autorët të dalin para drejtësisë.

“BE-ja dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e tmerrshëm kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës.Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi ai në plaftormën “X”.

Vuçiqi u “viktimizua” përsëri

Si shumë herë në situata të tilla kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës dhe aktet e dhunës nga serbët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “viktimizohet” duke thënë se nuk ka dijeni për incidentet e tilla.

Ai madje tha se vrasja e policit shqiptar nuk do të duhej të ndodhte dhe s’e nuk iu desh askujt.

“Nuk dua ta arsyetoj në asnjë mënyrë vrasjen e policit shqiptar. Kjo është diçka që nuk iu desh askujt”, u shpreh ai në konferencë.

Vuçiqi po ashtu fajësoi Kurtin se është indikatori dhe nxitësi kryesor i akteve të tilla në veri

Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiq dhe shtoi se sulmuesit nuk kishin uniforma të ushtrisë apo policisë serbe.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy