Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka folur për armatimin që është gjetur në fshatin Banjska të Zveçanit e që i përkiste grupit terrorist që ka vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.
Sveçla në konferencë ka qenë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Kreu i MPB-së në momentin kur ia ka dhënë fjalën Drejtorit të PK-së, Gazmend Hoxha, ka thënë se ai do të flasë më në detaje rreth pajisjeve që janë gjetur dhe që vazhdojnë të gjenden edhe sot brenda fshatit Banjskë, brenda objekteve të Manastirit të Banjskës dhe në kodrat përreth.
“Për të dhënë më shumë detajeve rreth pajisjeve dhe gjësendeve që janë gjetur dje dhe që vazhdojnë të gjenden sot, brenda fshatit, brenda objekteve të manastirit të Banjskës por edhe në kodrat përreth Banjskës” , ka thënë Sveçla.
Edhe Drejtori i Policisë në fjalën e tij ka thënë se brenda objekteve të manastiri të Banjskës janë gjetur disa armë automatike dhe raketahedhës që dyshohet se janë përdorur nga personat e armatosur për sulme terroriste kundër Policisë së Kosovës.
Ndërkohë nga Manastiri i Deçanit sot gjatë ditës është lëshuar një reagim në profilin e tyre në platformën “X” ku pretendonin se s’janë gjetur armë brenda Manastirit të Banjskës, por vetëm në automjetet e braktisura përreth. Një reagim i tillë është fshirë nga faqja e tyre.