“Sot paradite do të vendoset se si të procedohet tutje pas përfundimit të aksionit të bastisjes në Banjskë”.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
Ndryshe të dielën, si pasojë e një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur lehtë dy të tjerë.
Ndërsa, nga aksioni janë konfirmuar tre sulmues të vrarë, disa të lënduar dhe tetë të arrestuar.
Gjatë bastisjes, Policia e Kosovës ka konfiskuar arsenal armësh dhe mjetesh të ndryshme, të cilat u prezantuan edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Mjetet e konfiskuara më 25.09.2023 përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë, tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper, një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelekë antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”, është bërë e ditur nga PK.
Po ashtu, Sveçla publikoi pamje të reja nga sulmi terrorist i së dielës, ku u pa se pjesë e tij ishte edhe nënkryetari i Listës Sebe, Milan Radoiçiq.
Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.