Haxhiu: Ka qenë sulm terrorist dhe Radojçiq duhet të gjykohet në Kosovë

by engel

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletarrest ndërkombëtar ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe Milan Radoiçiq. Porsa të merret një vendim i tillë, ajo ka thënë se ministria që ajo drejton do të veprojë pa vonesa.

Haxhiu ka thënë se Kosova është e vendosur ta kërkojë nga Serbia dorëzimin e Radoiçiqit, megjithëse ka potencuar se një gjë e tillë është mjaftë sfiduese pasi sipas saj, “vetë Serbia e ka dirigjuar sulmin terrorist”.

banner

Ajo ka kërkuar edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për të hetuar bazat ushtarake serbe ku janë trajnuar sulmuesit, ndërsa ka pohuar se institucionet e vendit po bëjnë maksimumin për identifikimin e sulmuesve dhe gjykimin e tyre në Kosovë.

“Që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist, institucionet e Kosovës, në këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit. Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë, për hir të transparencës, kanë mbajtur konferenca, ku në hollësi kanë shpjeguar sesi ka ndodhur sulmi dhe ku kanë qenë terroristët.

“Sa i përket procesit gjyqësor, sigurisht që ende nuk ka filluar. Mirëpo, janë ndërmarrë masa paraprake për trajtimin e terroristëve. Disa prej tyre tani janë në paraburgim për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera terroriste”, ka thënë Haxhiu. “Ne jemi në pritje të Gjykatës që të bëjë kërkesë për fletarrest ndërkombëtar, dhe menjëherë pa vonesa do të veprojmë në përputhje me kompetencat që i kemi. Do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë sulmuesit të identifikohen, sepse ka qenë një grup i madh i armatosur që ka tentuar ta shtrijë ndikimin edhe te serbët e tjerë. Fatmirësisht, serbët lokalë nuk i janë bashkuar”, është shprehur ajo për Ekonomia Online.

Tutje, ajo ka thënë se Serbia do të bëjë përpjekje për t’i trajtuar rastet vetë për t’i amnistuar kriminelët. Por, ajo është shprehur e bindur se “krimet e tilla nuk do të amnistohen”.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radoiçiq të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh, pamë një bastisje në pronat e terroristit Radoiçiq, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të pasurisë së tij që e ka krijuar nga krimi. Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”, ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe për krimet e luftës, edhe për këtë sulm terrorist, do të ketë përpjekje të Serbisë që ta marrin trajtimin e rasteve atje, kinse të duken se po bëjnë hetime dhe t’i amnistojnë kriminelët.

Por ka shtuar se janë të vendosur që ta kërkojnë dorëzimin e kriminelit Radoiçiq në Kosovë, për të vazhduar pastaj me gjykimin.

“E kuptoj që është sfiduese sepse Serbia e ka dirigjuar këtë sulm terrorist dhe nuk ka ndodhur vetëm me një individ, siç përpiqej të thoshte avokati i terroristit Radoiçiq, por është Serbia pas këtij sulmi. Po bëjmë përpjekje maksimale që t’i sjellim kriminelët në Kosovë. Ka një vendosmëri. Krimet e tilla nuk do të amnistohen, krimet e tilla do ta marrin përgjigjen institucionale bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Haxhiu.

Sulmin e veriut ajo e ka cilësuar terrorist, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Sulmi që ka ndodhur para një jave në veriun e vendit është sulm terrorist mbi territorin e Republikës, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit, ku si pasojë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe janë lënduar tre të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy