Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar sot drejt Brukselit. Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se Bislimi në Bruksel do të prezantojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe situatën aktuale në “European Policy Center”, në diskutimin me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: Si ta tejkalojmë ngërçin?”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi do të takohet dhe me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Belgjikës, Els Van Hoof dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman”, thuhet më tej në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Bisilimi do të mbajë dhe një diskutim me PSC (Political and Security Committee) ku do të marrin pjesë ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe nga BE-ja.
Në faqen zyrtare të “European Policy Center” ku është bërë e ditur pjesëmarrja e Bislimit, thuhet se tensionet e vazhdueshme në veri, kanë penguar përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së.
“Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, tensionet janë përshkallëzuar vazhdimisht në veri të Kosovës, duke shkaktuar përkeqësim të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo jo vetëm që ka penguar përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së, por ka krijuar një krizë serioze sigurie për Ballkanin Perëndimor dhe BE. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka arritur të qetësojë tensionet dhe tani është në një pikë stagnimi”, thuhet në njoftimin e EPC-së.