Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me disa bashkëpartiakë kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Ferid Agani në 24-vjetorin e vrajës së tij.
Me këtë rast Abdixhiku tha se puna e Aganit si nënkryetar shumëvjeçar të LDK-së ka qenë udhërrëfyes për të gjithë.
“Sot me bashkëpunëtorë, anëtarë të Kryesisë, deputetë e familjarë të profesor Aganit, nderojmë figurën e lartë të çmueshme të intelektualit profesor Agnit i cili 24 vjet më parë u vra nga forcat serbe. Profesor Agani ishte bartës, ideator dhe njëkohësisht udhëheqësi i lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe krah i djathtë i presidentit Rugova si nënkryetar i LDK-së”.
“Sot kujtojmë veprën e tij, vrasja e tij përveç që ishte hakmarrje edhe prezumim i të ardhmes së Kosovës. Familjes i themi mbahuni sot në këtë ditë, popullit iu shprehim ngushëllime e si LDK duhet që urtësinë e tij ta vazhdojmë. Profesor Agani mbetet njëri prej patriotëve më të mëdhenj të Kosovës”.
Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999 nga forcat serbe. Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.
Për nder të profesor Aganit, vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë./EO/