Kënga “Mora fjalë” është kthyer së fundmi në një himn për tifozët, por edhe vetë lojtarët e Kombëtares kuqezi. Melodia që çon peshë mijëra zemra në stadium e përtej tij, i vishet vargjeve për heroin legjendar Adem Jashari.
Shumëkush i shqipton me gjoksin plot, por jo aq dinë që krijuesi i tyre është Naim Gjoshi.
Kompozitori i mirënjohur tregon nga studioja e tij në Elbasan, qytetin ku jeton prej 8 vitesh, se “Mora fjalë” lindi në vitin 2000, si kërkesë e rapsodit kosovar, Qazim Beka.
“Mua më janë dashur dy javë të meditoj për heroin. Ishte në 3 vjetorin e rënies së tij”.
Një vit më vonë në një takim me rapsodin Beka në Kosovë, kompozitori Gjoshi ka dëgjuar rastësisht në ambientin ku ishte këngën e tij nga zëri i Shkurte Fejzës.
Frymëzimin për krijimin e një kënge monument për legjendarin Adem Jashari e ka gjetur atje, tek kulla e Jasharjave në Prekaz.
Por krahas suksesit të pamasë të vargjeve e notave të tij, krijuesi i “Mora fjalë” e ka një brengë dhe nuk ngurron të çojë fjalë.
“Më ka bërë përshtypje. Kam qenë disa herë në Skënderaj. Aty është djali i Adem Jasharit dhe asnjë herë nuk më ka takuar. Më vjen keq për këtë, që djali i tij nuk më ka takuar asnjë herë.
Kam qenë në Drenicë, Skënderaj, nëntë vite radhazi në një festival rapsodie. Kam qenë në juri. Ai aty ka qenë, por s’më ka takuar. Këtë e kam shprehur edhe atje”.