Dukeshin në disponim të mirë, të mërkurën mbrëma. E organizatorët u kujdesën që momentet e presidentes Vjosa Osmani bashkë me pjesëtarë të njësisë speciale, t’i shohin të gjithë.
Megjithëkëtë, publikimi i fotografive nga Darka e Lamës që u mbajt në kampin “Enver Zymeri”, po thuhet se është gabim i madh, raporton Klan Kosova.
“E thirri njësinë speciale dhe i rrezikoi të gjithë duke i publikuar fotografitë e tyre. Ata vetë nuk i publikojnë fotografitë se e kanë të ndaluar nga drejtoria e policisë”, ka thënë koloneli i pensionuar, Afrim Veseli.
Ai tha se Presidentja, në vend të darkës duhej t’i kishte dekoruar policët me Medaljen e Trimërisë.
Njëjtë mendon dhe një zëvendësministër i Punëve të Brendshme, por që Hajrullah Tërnava nuk sheh ndonjë gabim në ekspozimin e të uniformuarve.
Ekspertë të sigurisë thanë poashtu se Presidentja duhet të çojë përpara ligje që kanë për qëllim mirëqenien e zyrtarëve policorë.