Edhe gjatë javës së Teksasit, Red Bull i Verstappen ishte më i miri.
Pas garës sprint të fituar të shtunën, ai kompletoi triumfin në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kaluar i pari në finish edhe në garë.
Edhe pse u kurorëzua kampion bote, piloti i Red Bullit nuk ndalet. Holandezi fitoi garën e 50-të në karrierë dhe barazoi rekordin me 15 vende të para në një edicion, të regjistruar nga vetë ai gjatë vitit të kaluar.
Nisja nga vendi i gjashtë nuk e pengoi që të regjistronte fitoren e parë në histori të një makine që nuk nisej nga radha e parë në cirkuitin e Austin. Kur kanë mbetur edhe katër gara nga mbyllja e Botërorit të Formula 1, Verstappen mund ta përmirësojë rekordin.
Në garën e Shteteve të Bashkuara nuk munguan as të papriturat. Lewis Hamilton e Charles Leclerc u skualifikuan prej parregullsive të konstatuara në pjesën e poshtme të makinave të tyre, që sipas rregullores duhet të jenë minimalisht 9 milimetra mbi asfalt. Hamilton me Mercedes dhe Leclerc me Ferrari humbën përkatësisht vendin e dytë dhe të gjashtë në renditje.
Nga skualifikimi i tyre përfituan Lando Norris, që u ngjit në vendin e dytë dhe Carlos Sainz, i cili plotësoi podiumin me vendin e tretë.