Zyra për media e Komandës Rajonale Perëndim e KFOR-it ka bërë të ditur se Kontingjenti italian i KFOR-it ka realizuar një projekt i cili ka lindur falë bashkëpunimit të Komandës Rajonale Perëndim dhe Drejtorit për Shërbime Publike të Komunës së Junikut.
Sipas njoftimit, dje në komunën e Junikut është inauguruar një kënd lojërash për fëmijë për komunitetin lokal i realizuar nga një projekt i Bashkëpunimit Civil dhe Ushtarak (CIMIC) dhe i dhuruar nga ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) me bazë në Regjimentin e 11-të Bersaglieri.
“Në ceremoninë e dorëzimit ishin të pranishëm autoritete civile dhe ushtarake, përfshirë komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore, kolonelin Gabriele Vacca, së bashku Kryetarin e Komunës, Ruzhdi Shehu, dhe me Drejtorin për Shërbime Publike.
Projekti, i lindur nga bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet celulës së CIMIC të RC-W dhe Drejtorit për Shërbime Publike të Junikut, synon të realizojë mundësitë për lojëra dhe argëtim për fëmijë të shumtë, duke pajisur hapësirat publike me pajisje të përshtatshme që plotësojnë nevojat e familjeve të shumta që jetojnë në komunë.
Donacioni është pjesë e aktiviteteve të shumta në mbështetje të zhvillimit të institucioneve vendore që kontingjenti italian zhvillon çdo gjashtëmujor.
Kontingjenti italian i Forcës së Kosovës (KFOR), në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke promovuar në të njëjtën kohë aktivitete bamirëse nën drejtimin e Komandës Operative të Forcave të Bashkuara. /Informim/