Gjatë ditës së katërt të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës po përkeqësohet. Vetëm sot gjashtë prej tyre janë detyruar të marrin ndihmë mjekësore. Pavarësisht kësaj, ata janë të vendosur që të mos dorëzohen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Pavarësisht që stafin shëndetësor e ka mbi kokë, ai nuk po pranon të largohet nga miniera, me insistimin që ndihma t’i jepet brenda saj.
Ai së bashku me gjithë minatorët e kësaj ndërmarrjes Trepça janë në grevë urie tash e katër ditë, si këmbëngulje për realizimin e kërkesave të tyre.
Pos tij, autoambulancat e Spitalit të Mitrovicës me rend po i marrin minatorët që po u përkeqësohet gjendja.
Vetëm gjatë ditës së premte janë trajtuar gjashtë prej tyre.
“Kanë ardhur me lodhje, marramendje dhe pas kontrollës kanë marr terapinë, pesë prej tyre janë liruar, i gjashti është duke përfunduar terapinë”, ka thënë Luljeta Zhubi – Drejtoreshë e Spitalit të Mitrovicës.
Gjersa kolegëve po u përkeqësohet gjendja shëndetësore, ata që akoma janë në gjendje më të mirë, po thonë se nuk dorëzohen deri sa t’i marrin pagat që u janë vonuar, sigurimin shëndetësor, dhe deri në shkarkimin e menaxhmentit.
“I kanë premtua minatorëve shumë, ka rrejt shumë, ju kanë largu benefitet që i kanë pasur, i ka ngatërrua punët shumë, unë nuk e njoh personalisht, por rezultate prej tij nuk ka”, është shprehur Sabri Ismajli, me profesion minator.
Me synim gjetjen e një zgjidhjeje, është mbajtur edhe një takim në mes sindikatës së minatorëve dhe menaxhmentit të Trepçës, por rezultati ishte negativ.
“Neve nuk na u dha mundësia me bisedu sepse në momentin e parë qe një qasje joprofesionale me një ton ashpërsues ndaj neve, me një tendencë kërcënuese ndaj neve duke thënë se jemi vonu në takim. Kur ta mendosh kjo nuk është as humane, as njerëzore, duke e pa që katër ditë nuk kanë pas vullnet me i vizitua minatorët”, ka theksuar kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi.
Për shkak se brenda zgafellës së Trepçës tashmë vazhdimisht po u përkeqësohet gjendja minatorëve, në afërsi të saj janë dërguar mjete shëndetësore që të improvizohet një dhomë mjekimi.
Brenda minierës gjatë ditës kanë qëndruar edhe Kryetari i Sindikatës së Administratës Publike dhe asaj të Arsimit, të cilët kanë bërë thirrje institucioneve që të plotësohen kërkesat e tyre.