Izraeli thotë se po bombardon tunelet e Hamasit në Gazë

by Merita

Avionët luftarakë izraelitë kanë bombarduar tunelet e Hamasit dhe bunkerët nëntokësorë në veri të Rripit të Gazës, tha ushtria izraelite më 28 tetor, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mëtejmë të fushatës për të shtypur grupin militant palestinez që sulmoi jugun e Izraelit tre javë më parë.

Avionët luftarakë kanë goditur dhjetëra caqe nëntokësore, tha ushtria. Si pjesë e intensifikimit të bombardimeve, Izraeli ka shkatërruar linjat e komunikimit dhe ka lënë territorin e rrethuar të Gazës, që banohet prej 2.3 milionë palestinezësh, pa komunikim me botën jashtë.

banner

Të premten, ushtria izraelite tha se po zgjeronte operacionet tokësore në territor, një tjetër sinjal se po i afrohet pushtimit të plotë të Gazës. Zyrtarët ushtarakë kanë thënë se shënjestër kyçe do të jetë rrjeti i gjerë i tuneleve dhe bunkerëve nëntokësorë të Hamasit. Shumica e këtij rrjeti gjendet nën Qytetin e Gazës, në veri të territorit.

Shpërthime nga sulmet e vazhdueshme ajrore janë dëgjuar për orë të tëra gjatë natës të së premtes.

Kompania palestineze që ofron shërbime të telekomunikacionit, Paltel, tha se bombardimet kanë shkaktuar “ndërprerje të plotë” të shërbimeve të internetit, të telefonisë mobile dhe tokësore. Kjo ndërprerje e komunikimit nënkupton se nuk mund të dihen menjëherë detajet e sulmeve tokësore. Disa telefona satelitorë kanë vazhduar të operojnë.

Palestinezët po ashtu për javë të tëra kanë mbetur pothuajse pa energji elektrike dhe janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, teksa furnizimet me ushqime dhe ujë po mbarojnë.

Familjarët e banorëve që gjenden në Gazë po tentojnë të kontaktojnë me të afërmit e tyre, por të shtunën në mëngjes, linjat e komunikimit kanë qenë jashtë funksionit.

Wafaa Abdul Rahman, udhëheqëse e një organizate feministe me bazë në Ramalllah, në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha se për orë të tëra nuk ka dëgjuar nga familja e saj që jeton në Gazën qendrore.

“I kemi parë këto gjëra të tmerrshme dhe masakra kur janë transmetuar në televizione, por çfarë do të ndodhë tani kur është errësirë e plotë”, tha ajo, duke iu referuar familjes së saj që është fshehur në javët e fundit për shkak të sulmeve.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha të premten se forcat tokësore “po zgjerojnë aktivitetin e tyre” në Gazë dhe “po veprojnë me forcë të madhe për të arritur objektivat e luftës”. Izraeli ka thënë se sulmet ajrore kanë për shënjestër militantët e Hamasit dhe infrastrukturën e grupit dhe se militantët operojnë në mesin e civilëve, duke i vënë ata në rrezik.

Qendra për media e Hamasit ka raportuar për përleshje të ashpra gjatë natës me forcat izraelite në disa pjesë, përfshirë për atë që e cilësoi si inkursion izraelit në kampin e refugjatëve Burei në qendër të Rripit të Gazës. Të pyetur për këto raportime, nga ushtria izraelite thanë të shtunën se kanë kryer bastisje të shënjestruara dhe kanë zgjeruar sulmet ajrore me qëllim “për të përgatitur terrenin për faza të ardhshme të operacionit”.

Izraeli ka grumbulluar qindra mijëra trupa përgjatë kufirit para ofensivës së pritur tokësore. Që nga mesi i javës, ushtria izraelite ka raportuar se ka kryer bastisje brenda Gazës, duke thënë se trupat kanë shënjestruar caqet e Hamasit.

Që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor, në Gazë numri i viktimave ka kaluar shifrën prej 7.300. Mbi 60 për qind e viktimave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë të mitur dhe gra.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ndërkaq të paktën 229 janë marrë pengje në Hamas. Në mesin e viktimave, të paktën 310 janë ushtarë, ka thënë ushtria izraelite.

Izraeli dhe Hamasi paraprakisht kishin zhvilluar katër luftëra. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në konfliktin e fundit tejkalon numrin e viktimave të katër luftërave paraprake, kur u vranë afër 4.000 persona.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy