Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim rreth situatës së krijuar pas grevës së minatorëve të minierës me flotacion.
Në njoftim thuhet se sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve.
“Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit thuhet se menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit.
Ndryshe sot është dita e gjashtë që kur ka nisur greva e minatorëve. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi ka thënë për Telegrafin se vetëm sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore 9 minatorë.
“Gjendja shëndetësore është shumë e rëndë, sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsejtë 9 minatorë, 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Jonuzi.