Eset Meha, njëri prej punëtorëve të suspenduar të kombinatit metalurgjik Trepça, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do të ndjekë hapa ligjorë për ta kundërshtuar vendimin e marrë ndaj tij.
Meha dhe katër punëtorë tjerë janë suspenduar prej datës 27 tetor, dhe në arsyetimin e udhëheqësisë përmendet “rrezikimi i shëndetit dhe jetës së punëtorëve”, si dhe “keqpërdorimi i të drejtës për grevë”.
Punëtorët e Trepçës janë në grevë prej 24 shtatorit, në kërkim të kushteve më të mira të punës.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.
Meha ka thënë se nuk ka marrë ende njoftim zyrtar për suspendimin.
Ai ka thënë se ka tentuar të hyjë në minierë, pas marrjes së vendimit për suspendim, mirëpo nuk i është lejuar hyrja nga punëtorët e sigurimit.
Meha pretendon se vendimi ndaj tij është marrë sepse ka qenë ndër më të zëshmit në kërkesat e punëtorëve.
Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se edhe pse gjendja shëndetësore e minatorëve grevistë po keqësohet, ata nuk do ta ndalin nga greva pa u realizuar kërkesat.
Mes tjerash, Meha u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin masa për përmbushjen e kërkesave të minatorëve, teksa ka kritikuar zyrtarët institucionalë që nuk kanë vizituar minatorët prej nisjes së grevës. /REL