Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e madh ndaj fushatës së bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve tanë.
Për PDK-në, këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike.
Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, me mandat të qartë dhe të kufizuar për të hetuar krimet e pretenduara për trafikim të organeve.
Fatkeqësisht, që nga momenti kur janë bërë publike aktakuzat e para kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, është bërë e qartë se fokusi i Dhomave të Specializuara ka dalë jashtë mandatit dhe çdo kontrolli institucional, duke u shndërruar në një mekanizëm që i ndjekë vetëm shqiptarët.
PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë fushatë përndjekëse dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre.