Memli Krasniqi viziton dy kryetarët nga radhët e PDK në veri, i kërkon Kurtit mbështetje për qytetarët atje

by Nexhat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar dy komunat veriore të Kosovës, Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku udhëheqin kryetarë nga partia e tij.

Au takua me Ilir Pecin e Zveçanit dhe Izmir Zeqirin e Zubin Potokut dhe ekipet e tyre, nga të cilët u njoftua për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.

banner

Kjo vizitë erdhi vetëm disa ditë pasi që kryetarut të PDK-së iu caktua mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës, si rrjedhojë e dyshimeve mbi rrezikun e shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

“Me Kryetarin Ilir Peci diskutuam për punët dhe sfidat e tyre. Posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”, ka thënë Krasniqi.

Nga atje, Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminojë dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtojë ato në mënyrë të barabartë.

“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratojë kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka falënderuar Memli Krasniqin për vizitat dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve të asaj komune.

“E falënderoj Kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.

Pas Komunës së Zveçanit, Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar Kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.

“Sot pata nderin ta pres Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë kryetari Izmir Zeqiri, raporton EO.

Ndërkaq, Krasniqi tha se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncenturar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.

“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Lideri i PDK-së tha se ajo që i bëri “shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime, të cilat Kryetari Izmir Zeqiri dhe të gjithë zyrtarët i kanë ofruar për të gjithë, pa dallim”.

Krasniqi në fund të këtij takimi i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy