Ibrahimi: Mjetet për investime kapitale do të shkojnë për zbatim të kontratës kolektive, komunat dëmtohen miliona euro

by Merita

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Ekonomia Online se vendimi i Gjykatës Supreme do t’i dëmtojë komunat me dhjetëra miliona euro. Sipas mendimit juridik të dhënë në tetor të këtij viti, komunat detyrohen t’i kompensojë mësimdhënësit mbi bazën e kualifikimit (licencimit), për kompensim sipas inflacionit dhe periudha kohore në të cilën zbatohet Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosove.

Ibrahimi ka thënë se nëse zbatohet ky mendim juridik, komunat e vogla dhe të mesme do të dëmtohen tej mase, pasi mjetet e dedikuara për investime kapitale do të merren nga Thesari i Shtetit për këtë vendim. Krahas dëmtimit për investime kapitale, Ibrahimi ka thënë se komunat nuk do të mund të garojnë më për skemën e Grantit të Përformancës.

banner

“Në takimin e fundit të Këshillit të Kryetarëve që u mbajt para disa ditëve, një nga temat kryesore dhe një nga brengat kryesore të komunave ishte edhe mendimi juridik i dhënë nga Gjykata Supreme në muajin tetor të këtij viti. Nëse zbatohet ky mendim juridik, disa komuna do të gjinden para kolapsit total sepse nëse zbatohet ky mendim juridik, komunave padrejtësisht do u merren mjetet financiare nga investimet kapitale për zbatimin e këtij vendimi që ka thënë se ‘mësimdhënësit duhet të kompensohen sa i përket licencimit dhe inflacionit’ për periudhën gjatë viteve 2021-22”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se nënshkrues të kontratave kolektive janë niveli qendror dhe sindikata dhe se kjo barrë nuk duhet t’i vihet komunave.

“Në bazë të shënimeve të Asociacionit që jemi duke i grumbulluar nga drejtorët financiarë komunalë, del që me dhjetëra miliona euro do të merren komunave dhe zakonisht në zbatimin e kontratave kolektive e cila ka ndodhur me nënshkrimin e nivelit qendror me sindikatat përkatëse, në kurriz të komunave do të dëmtohen me dhjetëra miliona euro, e sidomos komunat e mesme dhe të vogla do të pësojnë më së shumti sepse nëse në një komunë të mesme apo të vogël do t’i merren me qindra mijëra euro apo miliona euro, atëherë nuk do të kenë mundësi të kenë mjete financiare për zbatimin e projekteve kapitale”, u shpreh ai.

Duke folur për këtë vendim të Supremes, Ibrahimi ka thënë se komunat do të kenë mendim kritik edhe nga auditori i përgjithshëm, pasi nuk kanë qenë nënshkrues të kontratës kolektive.

“Komuna po dëmtohen drejtpërdrejtë duke u marrë mjetet financiare padrejtësisht nga investimet kapitale. Komunat përveç që nuk do të kenë mundësi që të zbatojnë projekte kapitale, gjithashtu do të kenë mendimin kritik edhe nga auditori i përgjithshëm sepse komunat nuk kanë qenë nënshkruese të kontratave kolektive dhe me automatizëm auditori i përgjithshëm po konstaton se këto mjete po i merren komunave pa nënshkrimin e tyre. Pra do të kemi mungesë të investimeve kapitale në komunat e Kosovës dhe komunat do të kritikohen përse po i merren këto mjete financiare edhe pse e kemi potencuar si dhe disa komuna nuk do të mund të garojnë për skemën e Grantit të Përformancës sepse nuk do të kenë investime kapitale në nivelin e kërkuar”, ka thënë tutje Ibrahimi.

Kritika për këtë vendim ka edhe për mosqartësim të këtij vendimi të Gjykatës Supreme. Ai konsideron se ky institucion ka kërkuar zbatim e duke mos e qartësuar se kush duhet ta bëjë këtë vendim.

“Gjykata Supreme ka thënë se kjo duhet të zbatohet por nuk janë qartësuar se kush duhet ta zbatojë, mirëpo logjikisht nënshkruesit e kontratës duhet ta marrin edhe përgjegjësinë. Këtë kontratë e ka nënshkruar niveli qendror dhe barrën financiare duhet ta marrë niveli qendror e jo kjo të zbatohet në kurriz të komunave sepse po shkakton dëme kolaterale. Do të ketë mungesë të investimeve kapitale dhe në disa komuna nuk do të ketë investime të reja kapitale dhe tash shto edhe barrën e zbatimit të këtij vendimi, atëherë komunat e mesme dhe të vogla do të gjenden në një situatë të palakueshme”, u shpreh Ibrahimi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy