Hasani: Draft-Statuti aktual i Asociacionit krijon një regjim special si ai i Hagës, e zhbën pavarësinë e 2008-ës

by Nexhat

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në një intervistë për Gazeta Blic ka folur rreth çështjes së draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian, e të publikuar së fundmi nga ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani.

Ai ka thënë se nëse bëhet ky lloj Asociacioni është jashtë rendit kushtetuese të Kosovës dhe për këtë i ka cekur një nga një edhe arsyet pse Kosova rrezikohet kaq shumë nga një Asociacion i tillë, teksa flet edhe për futjen e Rezolutës 1244 në atë draft.

banner

“Statuti krijon një regjim special, i ngjashëm me atë që kemi në Hagë, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin serb, me fillim nga përfaqësimi i vullnetit të tyre politik, politikave ekzekutive, policisë, gjyqësisë, raportit me shtetet tjera, trashëgiminë kishtare, kulturore dhe historike serbe në territor të Kosovës. Ky është një regjim juridik që vetëmbahet (“self-contained legal regime”).”, thotë Hasani.

Intervista e plotë:

Cilat janë defektet kryesore të draft- Statutit që tanimë është bërë publik?

Hasani: Janë disa syresh. I pari dhe më i rëndësishmi është se ky draft përmban fund e krye dispozita që janë materie e pastër kushtetuese dhe, si i tillë, paraqet një kushtetutë e re e Kosovës, një kushtetutë materiale të Kosovës, që është po krijohet tërësisht jashtë sistemit kushtetues të krijuar me Kushtetutën e Kosovës që është në fuqi nga 15 qershori 2008. I dyti defekt është përdorimi abuziv i dispozitave kushtetuese dhe instrumenteve të tjera juridike dhe ligjore me qëllim të krijimit të një autonomie politiko-territoriale që prish karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Ajo që quhet asociacion, në fakt është mekanizëm zbatues i Autonomisë serbe dhe në brendi ka përmbajtjen e Bashkësisë së komunave serbe, që nga mënyra e fillimit (në fillim nuk lejohet komunat tjera të hyjnë në te deri te themelohet), kompetencat (tërësisht shtetërore dhe nga e drejta publike) dhe deri te mënyra e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve rreth interpretimit dhe zbatimit të Statutit (arbitrazhi si një instancë e re e gjyqësisë kushtetuese; më disa vende gjykatat kushtetuese edhe quhen tribunal). Së fundi, Statuti krijon një regjim special, i ngjashëm me atë që kemi në Hagë, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin serb, me fillim nga përfaqësimi i vullnetit të tyre politik, politikave ekzekutive, policisë, gjyqësisë, raportit me shtetet tjera, trashëgiminë kishtare, kulturore dhe historike serbe në territor të Kosovës. Ky është një regjim juridik që vetëmbahet (“self-contained legal regime”).

Aty përmenden ligjet për administratën shtetërore, konventa kuadër për minoritete dhe vetëqeverisje lokale në Evropë, ligji për bashkëpunim ndërkomunal dhe tjetër, krejt me qëllim të krijimit të Bashkisë së komunave serbe, jo për zbatim të tyre në të ardhmen. Asnjëri prej këtyre instrumenteve juridike e ligjore nuk kanë asnjë rëndësi për zbatim në bashkësi, sepse kësi entiteti juridik nuk ekziston dhe nuk haset as autorizimi për themelim të tij në to. Ato flasin për autonomitë dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, për pakicat kombëtare, të cilat asnjëra si kategori nuk njihen në Kushtetutën e Kosovës. Mbi të gjitha, asnjëra prej tyre nuk janë dokumente që mund të zbatohen drejtpërdrejtë, sepse nuk kanë norma të vetëzbatueshme, siç kërkohet me Kushtetutën e Kosovës dhe me krejt kushtetutat e Evropës. Për të qenë të tilla ato duhet të shoqërohen nga legjislacioni zbatues, i cili nuk mund të këtë rangun e një statuti, por të kushtetutës dhe të ligjit. As Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk është e vetëzbatueshme: ajo zbatohet sepse Kushtetuta e Kosovës ka thënë se praktikat e Gjykatës së Strasburgut duhet të zbatohen; këtë e bëjnë krejt autoritetet publike në Kosovë, kurse vetë dispozitat e Konventës për të Drejtat e Njeriut janë mishëruar nëpër tekstet ligjore dhe në vetë Kushtetutën e Kosovës. E thënë më fjalë të tjera, citimi në Preambulën e Statutit dhe më pas brenda në tekstin e tij përdorimi i teksteve juridike vendore e ndërkombëtar bëhet vetëm deri në themelim të Autonomisë serbe, jo për t’u zbatuar në të ardhmen sepse ato nuk mund të vlejnë për një entitet juridik që nuk ekziston brenda tyre. Citimi i nenit konkret të Kushtetutës së Kosovës nga kapitulli i III, gjithashtu është abuziv sepse nuk ka asnjë logjikë që me statut të konfirmohet një dispozitë kushtetuese; njëjtë vlenë për dispozitat për përdorim të gjuhëve zyrtare, sepse ajo është vendosur me Kushtetutën e vitit 2008; poashtu, njëjtë velen edhe për caktimin e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese, e cila bëhet me ligj, asnjëherë me statut. Nëse duan një kompetencë të tillë, atëhrë le të nxjerrin ligj për këtë punë, jo me statut të imponojnë një kompetencë fiktive. Asnjë dallim nuk ka puna me arbitrazhin: ai formohet sepse dihet që pas themelimit, Gjykata Kushtetuese më nuk ka punë, sepse amendamenti në Statutin e Autonomisë vlerësohet, jo sipas Aktgjykimit të viti 2015, por sipas atij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që lejon themelimin e Autonomisë serbe. Prandaj kontestet në mes të pushtetit qendror dhe Autonomisë serbe i zgjedh arbitrazhi, jo Gjykata Kushtetuese.

Çfarë domethënie ka fakti që në Preambulë figuron Rezoluta 1244 e KS të OKB , krahas dokumenteve të tjera juridike?

Hasani: Futja e saj aty është pasojë e drejtpërdrejte e implementimit të zotimit nga Aneksi i Ohrit, sipas të cilit Kosova ka pranuar pa paragjykim për statusin e saj nga Serbia të merr përsipër detyrimet ndërkombëtare. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për shtetësinë e Kosovës dhe shënon fazën të re në procesin e zhbërjes së Mendimit Këshillëdhënës të GJND për Kosovën dhe, për rrjedhojë, të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008. Kur të miratohet Statuti, ai dërgohet në OKB dhe futet në procedura të Këshillit të Sigurimit si pjesë përbërëse e dokumentacionit të tij për sa i takon sovranitetit dhe integritetit territorial serb, që ajo e trashëgon me këtë rezolutë dhe ngelet aty përherë. Kjo është ngjashëm si me Aneksin e Ohrit, që është pjesë përbërëse e dokumenteve të Kosovës për procesin e futjes në BE dhe në çdo strukturë tjetër evropiane, përfshirë Këshillin e Evropës.

Kjo ka pasoja akoma ma të rënda se kaq. Së pari, pesë vendet e BE që nuk njohin Kosovës, kurrë nuk do ta bëjnë një gjë të tillë sa të jetë në fuqi Statuti me bazë juridike Rezolutën 1244. Kjo rezolutë dihet që ka figuruar një kohë në Planin Ahtisari dhe në Kushtetutën e Kosovës. Kjo ka bërë sepse me Deklaratën e Pavarësisë kemi marrë zotim të njëanshëm, por jo për zbatim të përgjithshëm të Rezolutës por për detyrimet që janë prodhuar nga zbatimi i saj deri atëherë kur u shpall pavarësia e vendit. Pas pavarësisë ajo nuk ka pasur asnjë fuqi ndaj nesh dhe vendeve që na kanë njohur. Së dyti, çdo investim i huaj në të ardhmen në pjesët e Autonomisë serbe vendoset sipas saj dhe kompetencën për këtë e ka Kuvendi i Autonomisë. Ju e dini që Marrëveshja Uashingtonin akoma është në fuqi, nëse nuk e keni ditur. Aty ka zotime të Kosovës për Ujmanin, ato do të realizohen në këtë mënyrë siç po them, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me institucionet e Autonomisë serbe. Së fundi, kjo hap mundësinë në të ardhmen e afërt për rikthim të numrit të caktuar të ushtarëve serb për ruajtjen e kishave dhe objekteve të tjera kulturore – historike serbe. Kjo sot duket një utopi, por shumëçka e tillë është dukur dhe sot po e shohim me sytë tanë. Kisha Serbe ka status të njëjtë si në Serbi, këtë ia ka njohur zoti Kurti me Aneksin e Ohrit. Futja e Rezolutës 1244, po e përsëris, nuk është asgjë tjetër pos zbërthim i këtij zotimi më në praktikë.

Cili është roli Gjykatës Kushtetuese në këtë mes: a mund ta ndaloj ajo formimin e Asociacionit?

Hasani: Gjykata Kushtetuese sigurisht që nuk e ndalon formimin e Autonomisë serbe, sepse nuk është punë e saj. Ajo ka kompetencë procedurale për marrjen në konsideratë, kurse sa i takon meritave të rastit, ajo i ka të hequra termat kryesore të referimit. Deri më sot nuk ka pasur draft-Statut. Gjykata ka pasur një aktgjykim në vitin 2015 lidhur me atë se si duhet të duket Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky aktgjykim është hequr nga Statuti dhe Gjykata nuk ka pse merret më me te. Nëse merret, atëherë e rrëzon këtë draft sepse në tërësi në kundërshtim me urdhëratë e saj nga Aktgjykimi i vitit 2015 dhe Marrëveshjen e vitit 2013, e cila si pikë referimi ka pasur asociacionin ekzistues të komunave në Kosovë. Nuk është e vërtetë që Plani Ahtisari flet për këtë lloj asociacioni që po formohet tani. Në tekstin e Planit Ahtisari bëhet fjalë për asociacion normal siç është ky i Kosovës. Serbët në Vjenë janë mundur sepse edhe atëherë kanë provuar të bëjnë këtë që po realizojnë sot, siç e pranon në librin e vet Mark Ueller, që sot këshillon zotin Kurti. Njëjtë thotë edhe zonja Katherine Ashton në librin e saj të fundit – se ideja serbe ka qenë krijimi i Bashkësisë së komunave serbe, kurse shqiptarët kanë insistuar në asociacion sipas Planit Ahtisari e që nuk është entitet nga e drejta publike.

Si është dashur të veprohet sipas jush?

Hasani: Është dashur të merret Aktgjykimi i vitit 2015 dhe të përpunohet, të kthehet në Statut dhe të dilet me draft para miqve dhe serbeve lokal; ai draft pastaj të shërbej si bazë për dialog, në mënyrë të hapur dhe transparente. Kjo siç është bërë ka qenë krejtësisht në mënyrë të fshehur : askush nuk ka as mandat e as të drejtë të krijoj një kushtetutë të re të Kosovës, pa ndjekur asnjë procedure kushtetuese dhe jashtë syve të publikut. Kjo ka çmim të lartë për vendin, por edhe për ata që sot mendojnë se kanë legjitimiteti politik për një gjë të tillë.

Një tekst të tillë si draft-Statuti aktual, që është tërësisht arkaik sepse ka dispozita revolucionare që operojnë jashtë sistemit ekzistues kushtetues, ka mund ta bëjnë studentët e fundit të secilit fakultet juridik në vendin tonë, pa shpenzuar asnjë lekë për atë punë.

A ka kohë të ndreqet diçka?

Hasani: Jo. Gjërat kanë shkuar larg, Aneksi Ohrit nuk mund të zhbëhet, ai është aty dhe çdo ditë e më shumë do tërheq prapa nga një copë të pavarësisë së Kosovës që u shpall më 17 shkurt 2008. Mos harroni se Tajvani që sot nuk është shet sovran dhe i pavarur, dikur ka pas mbi 90 njohje, sot ka vetëm disa dhe atë të vendeve perëndimore. Unë pres që procesi i çnjohjeje të merr përmasa edhe më drastike, pasi vendet që kanë pasur ndërmend të na njohin do të dekurajohen shumë kur të shohin atë që ka bërë Kosova në Ohër dhe me Statutin për Autonominë serbe me bazë në Rezolutën 1244 të KS të OKB.

Si shpjegohet që arsimi e shëndetësia serbe si rrjet në Kosovë funksionojnë si institucione private?

Hasani: Shumë thjeshtë. Serbia është shtet sovran dhe i pavarur, në kushtetutën e vet e ka Kosovës si autonomi. Një shtet sovran dhe i pavarur, nuk lejon që një autoritet tjetër publik të vihet nën subordinim të një autoriteti tjetër publik, që ai e konsideron si inferior me kushtetutë e ligjet e veta. Kjo është arsyeja që krejt ai rrjet në territorin e Kosovës vepron asisoj, dhe kjo është edhe sipas Rezolutës 1244 , e cila vetëm suspendon sovranitetin serb në Kosovë, por nuk e shuan atë në tërësi. Ai sovranitet serb është i shuar vetëm në raport me vendet që na kanë njohur, për të tjerët ai ekziston dhe respektohet. Në fakt, ka plot shtete që na kanë njohur në një moment të dhënë historik dhe që mendojnë njëjtë sikur ato pesë vende të BE që nuk na kanë njohur, por akoma nuk e shfaqin një gjë të tillë. Pra, shkurt, Rezoluta 1244 është arsyeja pse Serbia përdor institucionet private në Kosovë për rrjetin e vet të arsimit e shëndetësisë publike.

Pse po thuhet që do ketë njohje de facto?

Hasani: Ato janë përralla që asnjë lidhje nuk kanë me njohjen. Çdo njohje e shteti në të drejtën ndërkombëtare ka për objekt qenien shtet (“statehood”), jo format e manifestimit të përditshëm të aktiviteteve të autoriteteve publike, siç janë mbledhja e tatimit, tagrat, energjia, doganat dhe kështu me radhë. Njohja e Kosovës nga Serbia , de facto ose de jure, bie ndesh me Rezolutën 1244: asnjë logjikë nuk ka të thuhet se Serbia do e njeh Kosovën kurse në Ohër ti ke pranuar që raporti jonë me te është pa paragjykim për statusin, plus në Draft-Statut ke betonuar këtë fakt si dispozitë me rëndësi kushtetuese. Serbia mohon në vazhdimësi qenien shtet të Kosovës, titullin juridik të Kosovës për të qenë shtet e konteston fuqishëm. Ky kundërshtim respektohet nga shumë vende të BE dhe jashtë saj dhe çdoherë përjashton çfarëdo njohje të Kosovës nga ana saj. Këto gjëra i dinë studentët e juridikut që kanë dhënë provimin nga e drejta ndërkombëtare, pa asnjë vështirësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy