Apeli i GJKKO-së, ka vendosur këtë të martë, 21 nëntor, ndryshimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës.
Gjykata vendosi për Malltezin, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Lajmi u bë i ditur nga avokati Genc Gjokutaj në një deklaratë për mediet.
“Gjykata shpalli vendimin duke miratuar kërkesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar masën e sigurisë për Jamarmbër Malltezin, duke caktuar masën “Arrest në shtëpi”. Kjo mbetet një çështje politike”, tha ai.
Sakaq, masa e sigurisë për ish-kryeministrin Berisha nuk ka ndryshuar.
Kujtojmë se Jamarbër Malltezi u arrestua një muaj më parë, më 21 tetor 2023 lidhur me privatizimin e ish-klubit Partizani.
Privatizimi i Kompleksit Partizani
Ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë gjatë qeverisjes ‘Berisha’, janë kallëzuar penalisht në SPAK, për privatizimin e pronës shtetërore ish-Klubit Partizani, një sipërfaqe rreth 10 mijë m2, në qendër të Tiranës, ku sot janë ndërtuar 17 kulla. Kallëzimi është referuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist asokohe, Taulant Balla, i cili akuzon ish-zyrtarët e lartë për shpërdorim detyre, ndikime të paligjshme, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion.
Në kallëzim thuhet se disa familje të vetëquajtura ish-pronarë, me përfaqësues ligjor dhëndrin e familjes Berisha, Jamarbër Malltezi, janë favorizuar në vitin 2008, ku brenda disa muajsh janë realizuar të gjitha procedurat njohjes dhe kthimit të pronës në fjalë, në kushtet kur ish-pronarëve të tjerë u duhen disa dekada.
Së pari, në kallëzim thuhet se ish-pronarët që kanë marrë pronën, janë kompensuar më parë për këtë pronë, duke ngritur dyshime të forta për falsifikim dokumentesh për t’i hapur rrugë përfitimit të paligjshëm të pasurisë publike. “Nga verifikimi i deritanishëm dyshoj se ish-pronarët, pretendues të kësaj prone, kanë qenë kompensuar më parë nga qeveria italiane në vitin 1940 për këtë pronë dhe rrjedhimisht ata nuk mund të pretendonin kthimin dhe njohjen e një prone që ishte shtetërore tashmë, pasi të gjitha pronat që kanë qenë në pronësi të shtetit italian gjatë pushtimit i kanë kaluar shtetit shqiptar në bazë të një marrëveshje”, thuhet në kallëzim.
Sipas kallëzimit ”Shpërdorimi detyrës qëndron në faktin se pronarët e rinj të tokës ku ndodheshin objektet e Ushtrisë, janë shpronësuar një herë nga Italia fashiste, e cila kishte planifikuar të ndërtonte një aeroport. Madje toka është blerë nga Sheqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga Rruga e Kavajës deri tek Rruga e Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit. Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi Ushtrisë”.
Së dyti, në kallëzimin penal thuhet se vlera e përcaktuar e objekteve mbi truallin për parablerje dhe privatizim është më e ulët se sa vlera e tregut. “Fakti që ekspertët kane vlerësuar në masën 10.109.000 lek vlerën e objekteve mbi truall për parablerje dhe privatizim, vlerë kjo tepër e ulet në raport me sipërfaqen ndërtimore të saj apo dhe faktin se kjo zonë është zonë e miratuar për zhvillim ndërtimi, vendndodhja e saj në qendër të Tiranës provon fare qartë qëllimin kriminal të të gjithë personave të akuzuar”.
Së treti, ish-Klubi Partizani është e vetmja pronë e ushtrisë që është privatizuar. “Fakti evidenton që ish Klubi Sportiv Partizani të jetë i vetmi kompleks i privatizuar në këtë mënyrë. Në tërësi Ministria e Mbrojtjes ka pasur 213 prona të Ushtrisë të pretenduara nga ish pronarët dhe e vetmja pronë që është kthyer është pikërisht prona në fjalë, kjo vetëm me qëllimin për të realizuar ndryshimin e destinacionit dhe për të zhvilluar investime që kapin vlera shume të larta përfitimesh”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në PSAK.
Së katërti, Jamarbër Malltezi si trashëgimtar kishte vetëm 1/64 pjesës të sipërfaqes rezulton të jetë 144m2 truall, por sot, sipas Ballës bashke me tjetër ish pronar Xhimi Begeja, ka mbi 60% të pronësisë së kullave të ndërtuara. “Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara nëpërmjet aksioneve të kompanisë Homeplan shpk, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre”.
Po si arriti Jamarbër Malltezi të bëhej pronar pjesërisht i 17 kullave mbi pronën publike të tjetërsuar?
Në momentin e tjetërsimit të pronës publike ne viti 2008 janë themeluar kompanitë Homeplan sh.p.k si dhe Kontakt sh.p.k nga Fatmir Bektashi, cili shpreh vullnetin e tij duke marrë përsipër detyrimin në momentin e privatizimit. Kompania ndërmerr më pas realizimin e kullave me vlerë mbi 20 milionë dollarë mbi pronën e tjetërsuar, duke bërë një marrëveshje me pronarët e rinj. Në 23 janar 2014, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja blejnë shumicën e aksioneve tek Homeplan. Malltezi blen 35% të aksioneve për 35.000 lekë dhe Begeja 25% të aksioneve për 25.000 lekë. Por mbeten pronare te fshehur, pasi blerjen e deklarojnë ne QKB vetëm ne 27 dhjetor 2018.
“Gjatë kohës që vijon procedura e privatizimit nga organet publike Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave (ish AKKP) konstatohet që i kallëzuari Jamarbër Malltezi jo vetëm bëhet përfaqësues ligjor për të gjithë ish pronarët, por bëhet dhe garantues i marrëdhënies finale të përftimit të të gjithë sipërfaqes si dhe të qëllimit të realizimit të veprës. Fakt i cili provohet me detyrimin e të gjithë ish pronarëve që t’i japin këtij të fundit jo më pak se 5% të vlerës së kthyer duke provuar kështu garancinë 100% që Jamarbër Malltezi ka për përfitimin e kësaj sipërfaqeje”, thuhet në kallëzim.